Gjykata në SHBA bllokon përkohësisht kufizimet e reja për studentët dhe gazetarët e huaj

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka pezulluar përkohësisht zbatimin e rregullave të reja që synonin të kufizonin kohën e qëndrimit të studentëve dhe gazetarëve të huaj në vend.
Vendimi është marrë nga gjyqtari federal F. Dennis Saylor, i cili ka nxjerrë një urdhër paraprak që ndalon Departamentin e Sigurisë Kombëtare të zbatojë ndryshimet e propozuara në sistemin e vizave.
Padia ndaj këtyre masave është ngritur nga një grup universitetesh, organizatash arsimore dhe sindikatash, të cilat kundërshtojnë politikën e administratës së Donald Trump ndaj studentëve dhe profesionistëve të huaj.
Sipas rregullave të propozuara, studentët dhe pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit do të kishin një afat maksimal qëndrimi prej katër vitesh, ndërsa gazetarët e huaj do të mund të qëndronin në SHBA deri në 240 ditë.
Aktualisht, mbajtësit e vizave F, J dhe I mund të qëndrojnë për aq kohë sa ruajnë statusin e tyre ligjor. Kjo u mundëson studentëve të qëndrojnë gjatë periudhës së studimeve, ndërsa gazetarëve t’u vijojë qëndrimi për sa kohë punojnë në të njëjtin rol dhe për të njëjtin punëdhënës.
Në arsyetimin e tij, gjyqtari Saylor kritikoi Departamentin e Sigurisë Kombëtare, duke vlerësuar se nuk kishte paraqitur një analizë bindëse mbi kostot dhe përfitimet e ndryshimeve. Ai vuri në pikëpyetje edhe kufirin katërvjeçar për studentët, duke theksuar se studimet universitare mund të zgjasin mesatarisht më shumë se kaq.
Saylor kundërshtoi gjithashtu argumentet që lidhen me sigurinë kombëtare, duke vënë në dukje se kufizimi i kohës së qëndrimit nuk do të eliminonte domosdoshmërisht rreziqet e pretenduara.
Pezullimi është i përkohshëm dhe nuk përbën vendimin përfundimtar mbi ligjshmërinë e rregullave. Çështja do të vijojë të shqyrtohet nga gjykata.


