Kush pasurohet nga një botë në luftë? Brenda shpërthimit global të tregtisë së armëve

Një panorama globale e paqëndrueshmërisë: Konflikte të përshkallëzuara dhe ndikimet në tregtinë e armëve
Nga marsi i vitit 2026, bota po përballet me konflikte të përshkallëzuara dhe të ndërlidhura në disa rajone, duke krijuar një panoramë të paqëndrueshme sigurie. Përplasjet më të mëdha përfshijnë luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë dhe tensionet në rritje në rajonin e Paqësorit.
Mbi 40% e strategëve të anketuar për raportin Global Foresight 2025 të Qendrës Scowcroft për Strategji dhe Siguri pranë Atlantic Council shprehin frikën se deri në fund të dekadës së ardhshme mund të shpërthejë “një tjetër luftë botërore, me konflikt shumëfrontal mes fuqive të mëdha”.
Në maj të vitit 2025, India dhe Pakistani patën një përballje të rëndësishme ushtarake katërditore. Në fillim të vitit 2026, SHBA ndërhyri në Venezuela dhe kapi presidentin Nicolás Maduro. Konflikti në Lindjen e Mesme është zgjeruar ndjeshëm që prej 28 shkurtit, me forcat amerikane dhe izraelite që godasin rëndë udhëheqjen iraniane, ushtrinë, industrinë e mbrojtjes dhe sektorin energjetik, ndërsa Irani ka shënjestruar në mënyrë efektive infrastrukturën e naftës dhe gazit në shtetet e Gjirit.
Luftimet në Ukrainë vijojnë me intensitet. Kina vazhdon të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Tajvanit, duke deklaruar se “ribashkimi” është i pashmangshëm. Përpjekjet e vendeve të fuqishme të BRICS për të sjellë stabilitet gjeopolitik global kanë qenë të vakëta. Pas nisjes së mandatit të dytë në janar 2025, Donald Trump u kërkoi vendeve europiane të NATO-s të rrisin shpenzimet dhe të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre. Tashmë edhe Europa e ka kuptuar se një rritje e ndjeshme e buxheteve të mbrojtjes do ta bëjë më pak të varur nga Uashingtoni.
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në mes të shkurtit, u diskutua për rritjen e buxheteve ushtarake dhe riformulimin e aleancës transatlantike në një NATO 3.0. Në këtë kontekst, është momenti për të analizuar trendet globale të armëve.
Tregtia e armëve në vitet 2020–2024
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara këtë muaj nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), transferimet globale të armëve në periudhën 2020–2024 kanë vijuar të rriten në volum, por kanë shfaqur ndryshime të mëdha në prirje.
Të nxitura nga lufta në Ukrainë, importet e armëve në Europë u rritën me 155%, duke e bërë rajonin importuesin më të madh në botë si grup vendesh. Ukraina u bë vendi me importet më të mëdha të armëve në nivel global, duke i rritur ato në periudhën 2021–2025 me 100 herë krahasuar me vitet 2015–2019. India mbeti importuesi i dytë më i madh, pavarësisht një uljeje prej 9.3%, kryesisht për shkak të përpjekjeve për prodhim vendas. Në rajone të tjera si Afrika, Amerika, Azia dhe Lindja e Mesme, ritmi i rritjes së importeve u ngadalësua, duke balancuar totalin global.
SHBA forcoi dominimin si eksportuesi kryesor i armëve (43% e tregut global), ndërsa Franca (9.6%) kaloi Rusinë, eksportet e së cilës ranë me 64% në periudhën 2021–2025.
Edhe pse Moska mbeti furnizuesi i tretë më i madh global, eksportet e saj u goditën nga sanksionet perëndimore dhe nga nevoja për konsum të brendshëm, duke bërë që pjesa e saj në treg të binte nga 21% në vitet 2016–2020 në 6.8% në vitet 2021–2025. Rënia lidhet kryesisht me uljen e dërgesave drejt Algjerisë, Kinës dhe Egjiptit. Rreth 74% e eksporteve ruse të armëve në këtë periudhë shkuan në tre vende: Indi (48%), Kinë (13%) dhe Bjellorusi (13%), megjithëse India po diversifikon furnizuesit e saj.
Europa pa një rritje të kërkesës për sisteme të mbrojtjes ajrore, avionë dhe raketa, ndërsa vendet filluan një proces të ri armatosjeje me rritjen e buxheteve të mbrojtjes. Rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut përbënte mbi 27% të importeve globale, me kërkesë të lartë nga Katari, Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit. Konflikti në Lindjen e Mesme pritet ta rrisë më tej këtë kërkesë.
Kina doli nga lista e 10 importuesve më të mëdhenj, duke reflektuar rritjen e vetë-mjaftueshmërisë. Në përgjithësi, trendi i viteve 2020–2024 tregon se tregu i armëve reagon fuqishëm ndaj kërcënimeve të sigurisë, duke favorizuar furnizuesit që mund të ofrojnë sisteme të avancuara teknologjikisht në rajonet e prekura nga konfliktet.
Vëllimi i armëve të mëdha të transferuara mes shteteve u rrit me 9.2% mes periudhave 2016–2020 dhe 2021–2025, me Europën si rajonin kryesor përfitues. Përveç Europës dhe Amerikave, importet në rajone të tjera ranë.
SHBA rriti më tej dominimin në eksportet e armëve, duke furnizuar 42% të transferimeve ndërkombëtare në vitet 2021–2025, nga 36% në periudhën e mëparshme. Ajo eksportoi armë në 99 shtete, përfshirë 35 vende europiane. Për herë të parë në dy dekada, pjesa më e madhe e eksporteve amerikane shkoi në Europë (38%) dhe jo në Lindjen e Mesme (33%). Megjithatë, Arabia Saudite mbeti përfituesi më i madh individual me 12%.
Uashingtoni i sheh eksportet e armëve si një mjet të politikës së jashtme dhe një mënyrë për të forcuar industrinë e vet të mbrojtjes, siç e thekson strategjia “America First Arms Transfer”.
Rritja e buxheteve të mbrojtjes
Shpenzimet globale për mbrojtjen u rritën në vitin 2025, duke arritur në 2.63 trilionë dollarë nga 2.48 trilionë në vitin 2024, me një rritje reale prej 2.5%. Në Europë, shpenzimet po rriten me shpejtësi, me buxhetet e vendeve të BE-së që pritet të arrijnë rreth 390 miliardë euro në 2025 — një rritje gati 63% krahasuar me vitin 2020. Mesatarisht, ato tashmë tejkalojnë 2% të PBB-së.
Rritjet më të mëdha udhëhiqen nga SHBA (921 miliardë dollarë), Kina (251 miliardë) dhe Rusia (135 miliardë). Në rastin e Rusisë, rritja lidhet kryesisht me luftën në Ukrainë. Gjermania (102 miliardë) dhe India (78.3 miliardë), e fokusuar te programi “Make in India”, kontribuan gjithashtu në rritjen globale.
SHBA është përqendruar te modernizimi dhe superioriteti teknologjik. Kina vazhdon zgjerimin e shpejtë me fokus te teknologjitë e reja, inteligjenca artificiale dhe marina. Arabia Saudite ruan shpenzime të larta për sigurinë rajonale (72.5 miliardë). Investimet e mëdha nga Britania (94 miliardë) dhe Franca (70 miliardë)/Shqip


