Lufta në Lindjen e Mesme, rriten sërish çmimi i naftës

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar sërish rritje, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të përshkallëzohen. Sipas raportimit të Sky News, nafta është rritur me 1.61%, duke arritur në 103.87 dollarë për fuçi, pas një periudhe rënieje disa ditë më parë kur kishte zbritur në 96 dollarë për fuçi.
Rënia e mëparshme erdhi pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim pesëditor me Iranin, por zhvillimet e fundit në rajon kanë rikthyer pasigurinë në tregje.
Ndërkohë, vendet anëtare të International Energy Agency (IEA) ranë dakord më 11 mars të lirojnë një sasi rekord prej 400 milionë fuçi nafte nga rezervat strategjike, në përpjekje për të përballuar ndërprerjet në furnizim të shkaktuara nga konflikti.
Drejtuesi i IEA-s ka bërë të ditur se janë zhvilluar konsultime me qeveri në Azi dhe Evropë për lirimin e mëtejshëm të rezervave, nëse situata e kërkon, duke theksuar se një nga zgjidhjet kyçe mbetet rihapja e Ngushticës së Hormuzit.
Kjo ngushticë strategjike, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë, vijon të jetë kryesisht e bllokuar për anijet tregtare. Irani e ka kufizuar ndjeshëm trafikun detar që prej nisjes së sulmeve ajrore nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli më 28 shkurt.
Përshkallëzimi i konfliktit në rajon ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të naftës gjatë javëve të fundit, duke shtuar shqetësimet për inflacion dhe duke krijuar pasiguri për rritjen ekonomike globale.


