Ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare ish-kryeredaktori i RAI-t, Stefano Marcelli, kontribuoi edhe në mediat shqiptare

Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare gazetari italian Stefano Marcelli, një emër i njohur i gazetarisë italiane, i cili gjatë karrierës së tij ka kontribuar edhe për median shqiptare përmes shkrimeve dhe analizave të tij.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Marcellit, ish-korrespondentit special dhe ish-kryeredaktorit të selisë së Rai-t në Toskanë, u bë i ditur nga Sandro Bennucci, presidenti i Shoqatës së Shtypit të Toskanës.
Kontributi i gazetarit italian është vlerësuar edhe nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, i cili ka ndarë një mesazh ngushëllimi, duke kujtuar bashkëpunimin e tij me redaksitë shqiptare dhe shkrimet e publikuara për realitetin politik e shoqëror në vend.
“Ndahet nga jeta gazetari italian që e mbylli kohën e shkrimeve në median shqiptare.
Lamtumirë kolegu dhe miku ynë Stefano Marcelli! Një koleg dhe mik me shumë gazetarë shqiptarë, një profesionist që ndau përvojë me redaksitë më të shquara italiane dhe që spikati edhe për shkrimet e publikuara ekskluzivisht për media shqiptare dhe për realitetin politik dhe jo vetëm, në Shqipëri.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndan dhimbjen për këtë humbje dhe u përcjell ngushëllime familjarëve të tij, veçanërisht zonjës së tij, koleges sonë Gerta Zaimi!”, thuhet në postim.
Stefano Marcelli la pas një karrierë të gjatë në gazetari, ndërsa përmes punës së tij krijoi lidhje të forta profesionale edhe me kolegë shqiptarë. Ai ishte bashkëshorti i gazetares së njohur shqiptare Gerta Zaimi.


