Shtetësia kanadeze, rregullat e reja sjellin rritje të ndjeshme të aplikimeve nga SHBA-ja

Rregullat e zgjeruara të shtetësisë në Kanada po nxisin një interes të lartë nga qytetarët amerikanë, ndërsa të dhënat e autoriteteve tregojnë një rritje të ndjeshme të numrit të miratimeve që nga hyrja në fuqi e legjislacionit të ri në fund të vitit të kaluar.
Ndryshimet u japin mundësi pasardhësve të kanadezëve, edhe përtej brezit të parë të lindur jashtë vendit, të kërkojnë njohjen e shtetësisë duke zgjeruar ndjeshëm kategorinë e personave që mund të përfitojnë nga kjo e drejtë.
Sipas të dhënave të publikuara nga agjencia kanadeze e imigracionit, numri i miratimeve mujore për verifikimin e shtetësisë me prejardhje është rritur gjatë muajve të parë të vitit 2026. Vetëm në janar u regjistruan mbi 1,100 miratime, ndërsa në shkurt dhe mars shifrat vazhduan të rriten. Nga aplikimet shtesë të miratuara deri në muajin shkurt afro 48 % rezultojnë të jenë shtetas amerikanë një tregues i qartë i interesit në rritje që po vjen nga vendi fqinj.
Juristë dhe ekspertë të emigracionit vlerësojnë se kjo prirje lidhet jo vetëm me lidhjet historike dhe familjare mes dy vendeve, por edhe me zhvillimet e fundit politike në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tyre, shumë amerikanë e shohin shtetësinë kanadeze si një mundësi shtesë për të ardhmen, që mund të ofrojë akses më të lehtë për të jetuar, studiuar apo punuar në Kanada. Në shumë raste aplikuesit nuk planifikojnë të largohen menjëherë nga SHBA-ja, por synojnë të sigurojnë alternativa të qëndrueshme për veten dhe familjet e tyre.
Ligji i ri erdhi pas një vendimi gjyqësor të vitit 2023 i cili e konsideroi jokushtetues kufizimin e shtetësisë vetëm për brezin e parë të lindur jashtë Kanadasë. Si rezultat, persona që prej brezash kanë jetuar jashtë territorit kanadez mund të njihen tashmë si qytetarë nëse arrijnë të provojnë lidhjen e tyre familjare me Kanadanë. Megjithatë, autoritetet dhe ekspertët sqarojnë se kjo e drejtë nuk mund të trashëgohet pa kufi nga brezat e ardhshëm të lindur jashtë vendit, duke ruajtur kështu disa kufizime në transmetimin e shtetësisë.


