Spanja gati të anojë djathtas? Sondazhi: Nëse zgjedhjet do mbaheshin sot, koalicioni Partia Popullore-Vox do të fitonte

Qendra e gravitetit politik në Spanjë po zhvendoset gjithnjë e më shumë djathtas, duke krijuar një përçarje të thellë që rrezikon të tronditë qeverinë aktuale progresiste edhe përpara se qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit, në verën e vitit 2027.
Këtë tablo e paraqet një sondazh i Sigma Dos për El Mundo, i realizuar nga 6 deri më 20 korrik, pra në prag të krizës së ndërlikuar të emigrantëve në Ceuta dhe asaj diplomatike që pasoi.
Sondazhi tregon një epërsi territoriale të bllokut konservator dhe një krizë të thellë të Partisë Socialiste, e cila është goditur nga skandalet e korrupsionit që kanë përfshirë bashkëshorten dhe vëllain e kryeministrit Pedro Sanchez, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Abalos, si edhe Zapateron, i konsideruar mentor dhe figurë reference për liderin e PSOE-së.
Ndërkohë, koalicioni qeverisës, ku bëjnë pjesë edhe forca të së majtës ekstreme, si edhe parti nacionaliste baske dhe katalanase, vazhdon të ketë vështirësi në miratimin e ligjit të buxhetit, i cili ka mbetur pezull prej tre vitesh.
Në rast se zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot në Spanjë, aleanca mes Partisë Popullore dhe partisë së djathtë ekstreme Vox jo vetëm që do të siguronte shumicën absolute prej 176 mandatesh, por do të fitonte edhe një “super shumicë”, me 196 deri në 204 deputetë.
Sipas sondazhit, avantazhi ndaj bllokut progresist dhe partive indipendentiste po zgjerohet nga java në javë, një prirje që mendohet se mund të jetë përshpejtuar edhe nga kriza e emigrantëve në Ceuta.
Ajo që bie më shumë në sy është shtrirja territoriale e këtij avantazhi. Sipas sondazhit, koalicioni mes Partisë Popullore dhe Vox do të ishte forca dominuese në 38 nga 50 provincat e Spanjës, ndërsa e majta do të kryesonte vetëm në tetë.
Kjo do të përkthehej në kontrollin e 76% të territorit të vendit, një rritje e ndjeshme krahasuar me 56% në vitin 2023. Në anën tjetër, koalicioni që tre vite më parë mbështeti ardhjen në pushtet të Pedro Sanchez do ta ruante avantazhin vetëm në bastionet nacionaliste të Katalonjës, Baskisë dhe Navarrës, ndërsa në pesë provinca të tjera gara do të ishte ende e hapur.
Sipas sondazhit, e majta spanjolle po humbet vazhdimisht mbështetje. Sumar po përballet me një rënie të pandalshme të konsensusit, ndërsa Partia Socialiste nuk po arrin të ndalë këtë prirje, duke dështuar të tërheqë votuesit që largohen nga aleatët e saj. Në këtë skenar, kryeministri Pedro Sanchez do ta kishte të sigurt vendin si forcë e parë vetëm në dy provinca, Barcelonë dhe Navarrë, duke humbur bastione tradicionale si Sevilja, Tarragona dhe Lleida.
Në këtë panoramë, roli i Vox del vendimtar. Partia e drejtuar nga Santiago Abascal konsolidohet si forca e tretë politike në nivel kombëtar me 17,3% të votave, por mbështetja e saj është edhe më e fortë në nivel lokal. Sipas sondazhit, Vox do të rivalizonte Partinë Socialiste për vendin e dytë në 19 provinca dhe do ta kishte kaluar tashmë në dy të tjera.
Faktet dramatike në Ceuta mund ta kenë forcuar këtë prirje. Menaxhimi i emergjencës së emigrantëve në kufirin me Afrikën e Veriut është historikisht një çështje e ndjeshme për elektoratin spanjoll.
Sipas analistëve, reagimi dhe qëndrimi institucional i mbajtur gjatë atyre orëve mund t’i kenë dhënë një shtysë shtesë pikërisht Partisë Popullore.
Duke iu përgjigjur kërkesës për më shumë vendosmëri dhe siguri të brendshme, Partia Popullore paraqitet si i vetmi mur mbrojtës i moderuar dhe i besueshëm për qeverisjen, duke fituar mbështetje si në qendër, ashtu edhe nga votuesit e zhgënjyer me menaxhimin e së majtës. Për Pedro Sanchez, rruga drejt rikonfirmimit në pallatin qeveritar Moncloa nuk ka qenë kurrë kaq e vështirë.


