“Pajisja regjistronte çdo të dhënë të pacientit!” – Vdekja e këngëtarit grek, dëshmia e sekretares së mjekut

Kosovë&Rajon

“Pajisja regjistronte çdo të dhënë të

Një prej sekretareve të klinikës ku humbi jetën këngëtari grek Giorgos Mazonakis, ka dhënë dëshminë e saj për ngjarjen dhe ka folur për fshirjen e takimeve nga lista e klinikës, orën kur pa këngëtarin të mbërrinte dhe gjendjen që mbizotëronte në ambientet e klinikës.

Bëhet fjalë për sekretaren e mjekut 58-vjeçar, Ilias Theodoropoulos, e cila ka përshkruar minutë pas minute situatën deri në momentin kur u largua nga klinika.

Ajo konfirmon se e ka parë dhe përshëndetur Giorgos Mazonakisin, i cili, sipas saj, kishte mbërritur në klinikë rreth orës 14:00-14:30. Sekretarja thotë se deri në momentin kur ajo u largua, pak pas orës 15:18, gjithçka ishte e qetë.

Në një intervistë për Mega, ajo ka folur edhe për aparaturën elektrofiziologjike dhe historikun e ekzaminimeve që ruhej në të.

Ajo shpjegon se çfarë të dhënash personale dhe mjekësore regjistroheshin në sistem dhe thekson se aparatura nuk ishte diçka që mund të fshihej, pasi ishte pjesë e funksionimit të klinikës dhe për të ekzistonte edhe një faqe interneti promovuese.

Sekretarja ka dhënë gjithashtu përshkrimin e saj për orët e fundit para ngjarjes tragjike. Sipas saj, mjeku ishte larguar për të ngrënë rreth orës 14:00, ishte kthyer në klinikë pak para orës 15:00 dhe më pas ishte shtrirë në divanin qendror të sallonit për të pushuar, pasi në atë moment nuk kishte pacientë të tjerë. Ajo thotë se deri në largimin e saj, situata në klinikë ishte e qetë.

Dëshmia e plotë e sekretares

“Po, e përshëndeta. Unë u largova në orën 15:18-15:25, siç kam thënë edhe në dëshminë time, ndërsa Mazonakis, siç kam thënë, ka ardhur në klinikë në intervalin 14:00-14:30. Nuk e mbaj mend saktësisht orën.

Sigurisht që e pashë. Sigurisht që e përshëndeta, e mirëprita dhe më pas, pak më vonë, ai pa edhe një person tjetër të njohur brenda klinikës dhe u përshëndetën, me sa duket ai person ka dhënë tashmë dëshminë e tij.

Më pas unë u largova. Hyri zonja G… dhe unë ika. Deri në momentin që u largova, gjithçka ishte e qetë. Mjeku 58-vjeçar ishte shtrirë në divan dhe po pushonte, rreth orës 15:20”.

Për ditën e martë, ajo thotë: “E dija që do të vinte. Nuk ishte në orarin e turnit tim. Ka lista, por kur realizohej takimi, në fund të ditës, gjithmonë i fshinim. Gjithmonë. Ai kishte ardhur edhe më parë, shumë vite më parë. Më vjen shumë keq që e humbëm dhe që u nda nga jeta. E konsideroj një rrethanë shumë të pafavorshme dhe një kohë të keqe”.

Duke folur për aparaturën elektrofiziologjike, sekretarja shpjegon: “Ekziston një historik në aparaturën ku kryhet ekzaminimi, kontrolli elektrofiziologjik. Është ajo me dy ngjitëset që vendosen në ballë dhe më pas vendos duart dhe këmbët mbi disa pllaka metalike. Është një lloj skanimi, siç kanë thënë dhe nga sa kam dëgjuar edhe pacientët që kanë ardhur dhe kanë folur.

Aty ruhej i gjithë databaza, emri dhe mbiemri, data e lindjes, numri i telefonit, gjatësia dhe pesha. Nuk i ruanim askund tjetër. Edhe nëse na duhej ndonjë numër telefoni, për shembull nëse duhej të telefononim dikë, e shikonim aty. Po, më ka ndodhur të hapja historikun gjatë një kontrolli. Përtej kësaj nuk e di se çfarë ndodhte.

Por aparatura, në asnjë mënyrë, nuk ishte diçka që mund të fshihej. Ekzistonte një faqe interneti që e reklamonte nga këtu deri në Australi. Nuk është një aparaturë e vogël që e vendos në xhep dhe e fsheh.

Sekretarja përshkruan më tej situatën në klinikë: Zoti M… (pacienti) kishte një takim në orën 15:30, nëse e mbaj mend mirë. Mjeku ishte shtrirë për pak kohë për t’u qetësuar dhe për të pushuar para takimit të radhës.

Ishte shtrirë në divan, me sytë mbyllur për pak. Unë hapa derën, por për shkak të zhurmës që bëjnë dyert kur aktivizohet alarmi, ai e dëgjoi, hapi sytë. E përshëndeta dhe, madje me zë të ulët, i thashë: ‘Mirupafshim, gjithë të mirat’, dhe ika.

Edhe ai ishte ende aty. Zoti T… ishte i shtrirë në divan. Deri në momentin që ika unë, brenda ishte zonja G… Pra, po ju them, mjeku ishte shtrirë. Brenda kishte një atmosferë të qetë. Çfarë t’ju them më shumë?

Ajo tregon edhe për largimin e mjekut për të ngrënë: Shkoi të hante në orën 2. Unë i kisha rezervuar tavolinën që të shkonte të hante. Shkoi, hëngri, siç e pamë edhe më pas. Duhet të jetë larguar rreth orës tre pa pak, tre pa dhjetë, ose tre. U kthye në klinikën e tij.

Nuk e di saktësisht se çfarë bëri dhe më pas, pas pak, u shtri për të pushuar derisa të vinte takimi i radhës. U shtri në divanin qendror të sallonit, pasi në atë moment nuk kishte fare njerëz. Zonja (…) ishte brenda me derën të mbyllur dhe mbizotëronte qetësia”.

Në fund, sekretarja flet edhe për një veprim që, sipas saj, i është dukur i pazakontë: Kjo ishte vërtet shumë e çuditshme. Po, mund të jetë një procedurë e zakonshme që vajzat e bëjnë para se të mbyllin klinikën, para se të largohen ose kur largohet një pacient, si një lloj sterilizimi.

Por tani, ose e kanë bërë mekanikisht, nuk e kam diskutuar me to. Unë, me mendjen time, them se ose e kanë bërë mekanikisht, automatikisht, nën stresin dhe konfuzionin absolut të atij momenti, ose nëse ua kanë thënë mjekët, këtë nuk e di”, përfundoi ajo.

ME TE LEXUARAT