Shqiptari i akuzuar për vrasjen e një polici grek, prangoset si anëtar i një grupi droge

Një 30-vjeçar nga Shqipëria, i cili kishte qenë i akuzuar për çështjen e vrasjes së policit Giorgos Lyggeridis më 7 dhjetor 2023 në Rentis, është mes 4 të arrestuarve të një grupi kriminal që trafikonte kanabis dhe kokainë të përpunuar në Agia Varvara dhe zona të tjera të Atikës Perëndimore.
Trafikanti i drogës është person me precedentë penalë për përdhunim, vjedhje, kundërshtim ndaj autoriteteve, shkelje të ligjit për armët, si dhe për gjashtë çështje të lidhura me drogën nga viti 2014 deri sot.
Policia ka shfrytëzuar informacione që tregonin se 30-vjeçari dhe bashkëpunëtorët e tij shpërndanin lëndë narkotike, me një pikë shpërndarjeje në një apartament në zonën e Agia Varvarës.
Pasditen e së enjtes, dy nga të dyshuarit u arrestuan në Koridallos, pasi u gjetën në posedim të sasive të kanabisit të papërpunuar dhe të përpunuar (hashash), të cilat i kishin marrë pak më parë nga 30-vjeçari dhe një 27-vjeçar që dyshohet si bashkëpunëtori i tij kryesor.
Më pas u arrestuan edhe drejtuesi dhe zëvendësdrejtuesi i grupit në apartamentin e Agia Varvarës.
Përveç të kaluarës së rëndë penale të 30-vjeçarit, edhe 27-vjeçari kishte qenë i akuzuar për pjesëmarrje në një bandë që kryente grabitje, si dhe për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armëve.
Një tjetër anëtar 34-vjeçar i grupit ishte arrestuar në vitin 2011 si pjesë e një organizate kriminale që transportonte kanabis nga Greqia drejt vendeve të Evropës Perëndimore me kamionë. Në atë operacion ishin sekuestruar rreth 2 ton kanabis i papërpunuar.
Gjithashtu, 30-vjeçari është akuzuar më parë për vrasje me dashje, grabitje dhe disa herë për vjedhje.


