Zbardhen 28 orë përgjime, prokuroria në Hagë: Thaçi dha udhëzime për dëshmitarët

Kosovë&Rajon

Zbardhen 28 orë përgjime, prokuroria në Hagë: Thaçi
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë nisur deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkë të akuzuarve Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengimin e administrimit të drejtësisë.

Në deklaratën përmbyllëse, prokurori i Specializuar Joshua Hafetz paraqiti pretendimet e Prokurorisë lidhur me komunikimet e Thaçit gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, transmeton Klankosova.tv.

Sipas Hafetzit, për një periudhë katërmujore, Thaçi ka përdorur vizitat në Qendrën e Paraburgimit për të tentuar të pengonte procesin gjyqësor në çështjen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.“Për katër muaj, Hashim Thaçi përdori vizitat në Qendrën e Paraburgimit, të përpiqej të pengonte procesin në këtë gjykim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, tha Hafetz.

Ai pretendoi se Thaçi në mënyrë të vazhdueshme kishte nxjerrë informacione konfidenciale dhe kishte shkelur rregullat e gjykatës, ndërsa sipas tij, në këto veprime ishin përfshirë edhe bashkë të akuzuarit.

“Bashkë të akuzuarit, secili prej tyre shok i vjetër i zotëri Thaçi, iu bashkua Thaçit në këtë veprim. Secili prej bashkë të akuzuarve kishte një lloj njohjeje me dëshmitarin, të cilin e shënjestroi”, deklaroi prokurori.

Sipas Prokurorisë, qëllimi ishte që dëshmitarëve t’u jepeshin udhëzime se çfarë duhej të deklaronin para gjykatës, në mënyrë që dëshmitë e tyre të ishin në favor të Thaçit.

“Synimi i pengimit të synuar ishte i thjeshtë, thuaju dëshmitarëve çfarë duhet të thonë kur të vinë në Gjykatë, në mënyrë që të thonë diçka në favor të zotëri Thaçi”, tha Hafetz.

Ai shtoi se udhëzimet, sipas pretendimit të Prokurorisë, nuk kishin të bënin vetëm me deklarimin ose mosdeklarimin e fakteve konkrete.

“Udhëzimet nuk ishin thjesht të thoshin apo të mos thoshin gjëra konkrete, të mos kujtonin, të mos dinin gjëra të caktuara, dhe mbi të gjitha të tregonin narrativën e Thaçit në favor të zotëri Thaçi, që do të thotë, të tregonin versionin e tij të ngjarjeve, në mënyrë që të minimizonin apo të hiqnin fajësinë e tij për krimet e paraqitura në çështjen 06… këto ishin udhëzimet e zotëri Thaçit”, u shpreh prokurori.

Hafetz bëri të ditur se në këtë çështje gjyqësore janë pranuar si prova rreth 28 orë incizime të bisedave të Thaçit gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit.

“Për të qenë edhe më konkret, janë pranuar në këtë çështje gjyqësore rreth 28 orë incizime të zotëri Thaçi, 28 orë të shpërndara në 9 vizita të veçanta për një periudhë katërmujore, përfshirë pesë vizitat ku zotëri Thaçi ka folur me bashkë të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore”, tha ai.

Sipas prokurorit, përmbajtja e këtyre incizimeve paraqet element të rëndësishëm të argumentit të Prokurorisë.

“Përmbajtja e incizimeve është tronditëse për zotëri Thaçin dhe bashkë të akuzuarit”, deklaroi Hafetz.

Ai pretendoi se në disa raste Thaçi fillimisht fliste me zë normal për tema të përditshme, ndërsa më pas e ulte zërin për të pëshpëritur udhëzime lidhur me dëshmitarët.

“Vizitë pas vizite, Thaçi ka folur me një zë normal për temat e përditshme, dhe më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete se çka duhet t’u thonë vizitorët dëshmitarëve. Këtë e ka bërë për muaj të tërë”, tha prokurori i Specializuar.

 

ME TE LEXUARAT