Revoltë kundër kreut të FIFA-s/ Tifozët ndërkombëtarë kërkojnë dorëheqjen e Gianni Infantino-s dhe reformë në futboll

Një koalicion ndërkombëtar i shoqatave të tifozëve ka nisur një peticion online këtë të enjte në mesditë, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, si dhe një reformë të thellë e rrënjësore të organit më të lartë të futbollit botëror.
Organizatat nismëtare, mes të cilave përfshihen emra të njohur si Football Supporters Europe, National Supporters Association dhe French Irresistibles, akuzojnë drejtuesin e FIFA-s se po vendos veten mbi vetë interesat e lojës dhe të komunitetit që e mbështet atë.
Përmes një deklarate zyrtare me ton të ashpër, koalicioni nëvizoi se prapavija e këtij sporti qëndron te njerëzit që e ndjekin atë çdo ditë, e jo te drejtuesit e zyrave qendrore. “Futbolli u përket atyre që mbushin stadiumet, që ndjekin klubet dhe ekipet e tyre kombëtare nëpër triumfet dhe dështimet e tyre, që udhëtojnë nëpër vende dhe kontinente, që e kalojnë sportin brez pas brezi dhe e mbajnë gjallë çdo ditë të vitit. Megjithatë, një njeri duket se beson se është më i rëndësishëm se vetë futbolli,” denoncon deklarata e përbashkët.
Përveç largimit të Infantinos, peticioni synon të rindërtojë mënyrën se si merren vendimet në futbollin modern. Përfaqësuesit e tifozëve po kërkojnë në mënyrë të veçantë një përfshirje formale dhe institucionale të mbështetësve, si dhe të vetë lojtarëve, në të gjitha proceset vendimmarrëse që formësojnë të ardhmen e këtij sporti.


