Shansi i fundit për Botërorin? Ja cilët lojtarë të Shqipërisë mund të mos kenë më rastin të luajnë për një objektiv të tillë

“Të mërzitur më shumë ne që jemi pak më të vjetër e ndoshta ishte rasti i fundit për ne që të marrim pjesë”.
Këto janë fjalët e Berat Gjimshitit, kapitenit të Kombëtares shqiptare pas humbjes së kuqezinjve përballë Polonisë në Varshavë. Padyshim ai i referohej vetes, pasi në moshën 33-vjeçare, do të duhet që ai të kalojë tre ose katër vitet e ardhshme në nivelet më të larta për të synuar të njëjtin objektiv, për Botërorin 2030. Por ai nuk është i vetmi, pasi ka lojtarë të tjerë për të cilët ky mund të ketë qenë shansi i fundit i karrierës për të luftuar për një objektiv historik siç është pjesëmarrja në Botëror.
Ivan Balliu duket e sigurt që nuk do e ketë më këtë shans, pasi është në moshën 34-vjeçare. Ndërkohë, emra të tjerë që rrezikojnë janë edhe 32-vjeçarët Hysaj, Ajeti e Aliji, për të cilët duket pak e mundshme që të kenë një rol protagonisti kryesor pas 3-4 vitesh me ekipin kombëtar.
Të rrezikuar janë edhe ata që kanë një moshë pak më të re, si 31-vjeçari Strakosha, apo 30-vjeçarët Laçi, Uzuni e Asani. Por për të gjithë këta futbollistë, prania apo jo e tyre me grupin e Kombëtares në eliminatoret e Botërorit të ardhshëm, do të varet shumë edhe nga evoluimi i brezit të ri që vjen pas tyre dhe do të kërkojë t’u marr vendin në listat e kuqezinjve.
Lojtarët që rrezikojnë:
Ivan Balliu 34 vjeç;
Berat Gjimshiti 33 vjeç;
Elseid Hysaj 32 vjeç;
Arlind Ajeti 32 vjeç;
Naser Aliji 32 vjeç;
Thomas Strakosha 31 vjeç;
Qazim Laçi 30 vjeç;
Myrto Uzuni 30 vjeç;
Jasir Asani 30 vjeç.