Banorët në protestë në Vaun e Dejës pas vde'kjes së dy personave nga korrenti: Ambulanca u vonua 1 orë e gjysmë

Banorë të Vaut të Dejës protestuan pranë qendrës shëndetësore të zonës, pas ngjarjes tragjike në fshatin Karmë, ku humbën jetën David Deda, 46 vjeç, dhe Sokol Preka, 40 vjeç.
Elektricisti dhe pronari ranë në kontakt me energjinë elektrike në ambientet e lokalit të Prekës.
Protestuesit pretendojnë se ambulanca mbërriti rreth një orë e 30 minuta pas njoftimit, vonesë që, sipas tyre, ndikoi në humbjen e jetës së dy viktimave.
“Kjo ndodh nga mungesa e shtetit, mungesa e ambulancës, mjekëve, infermierëve. Ne s’kmei urgjencë, ambulancë, ka 3 muaj. Jemi 50 e ca mijë banorë, s’kemi ambulancë e urgjencë.
Në mungesë të ambulancës është dashur 1 orë e gjysmë të vijë, prandaj kanë vdekur djemtë. Kërkojmë që qendra shëndetësore të bëhet urgjencë, të ketë 24 orë shërbim”, thotë një banor.
“Janë dy jetë të humbura, nesër mund të ketë tragjedi më të mëdha. Janë vëllezërit tanë, jemi rritur me ta. Qendra shëndetësore duhet 24 orë.
Sokoli e Davidi s’janë më, sa njerëz duhet të ikin? Sot kemi dalë për vëllezërit tanë, familjet e tyre, ne që kemi zgjedhur të jetojmë këtu” shton një tjetër.
Në protestë mori pjesë edhe motra e Sokol Prekës, e cila mes lotësh akuzoi sistemin shëndetësor për mungesën e reagimit në kohë.
“Sot vdiqën dy vëllezër, Sokoli dhe Davidi. Dolën për të pirë kafe dhe u kthyen të vdekur. Spitali i Vaut të Dejës nuk ekziston, nuk ka ndihmë e asgjë. Duam drejtësi për djemtë që vdiqën atje.
Shkuan për një kafe dhe nuk na u kthyen më”, u shpreh ajo.
Në mbështetje të banorëve protestues u bashkua edhe deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti.
Banorët kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësi për reagimin e shërbimit shëndetësor.
Pretendimet e tyre lidhur me vonesën e ambulancës pritet të verifikohen nga institucionet përgjegjëse.


