6.7 TON KOKAINË DREJT BE-së/ GJKKO lëshon masat për "biznesmenët" trafikant, ja dënimet për 5 të arrestuarit

Aktualitet

6.7 TON KOKAINË DREJT BE-së/ GJKKO lëshon masat për

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vijuar këtë të diel shqyrtimin e masave të sigurisë për disa nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK kundër dy grupeve të dyshuara për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Pas një seance që nisi në orën 09:00 dhe u ndërpre për rreth dy orë me kërkesë të avokatëve për t’u njohur me dosjen, gjykata vendosi që Orgest Birçaj, Dritan Aga dhe Edmond Jaupi të mbeten në burg.

Ndërkohë, për biznesmenin Orest Sota u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa Gëzim Islami u la i lirë kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Në seancë ishin të pranishëm përfaqësuesit e SPAK, përfshirë kreun e institucionit, Altin Dumani, dhe prokuroren Elida Kaçkini, ndërsa procesi u drejtua nga gjyqtarja Flojera Davidhi.

Sipas dosjes hetimore, dy organizata kriminale të drejtuara nga Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai dyshohet se kanë trafikuar mbi 6.7 ton kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian, kryesisht nëpërmjet porteve të Belgjikës dhe Holandës. Lënda narkotike dyshohet se fshihej në ngarkesa tregtare me qymyr, fruta dhe sojë.

Hetimet kanë zbuluar një rrjet të shtrirë nga Ekuadori dhe Kolumbia deri në disa vende të Europës, ndërsa disa persona dyshohet se kishin rol në logjistikën e grupit dhe në rekrutimin e punëtorëve shqiptarë për t’i dërguar në Amerikën Latine.

Në kuadër të megaoperacionit të zhvilluar më 12 qershor, SPAK ka lëshuar gjithsej 20 masa sigurie. Autoritetet dyshojnë se të ardhurat e përfituara nga trafiku i drogës janë investuar në pasuri të paluajtshme, biznese dhe kompani të ndryshme.

Gjatë operacionit janë sekuestruar vila, apartamente, automjete luksoze, kompani dhe qindra llogari bankare, ndërsa një transaksion i dyshuar në zonën e Zvërnecit vlerësohet në rreth 128 milionë euro.

 

 

ME TE LEXUARAT