Perspektiva të reja bashkëpunimi për industrinë shqiptare të tekstilit dhe këpucëve

Një delegacion i përbërë nga kompani shqiptare të sektorit të tekstilit, veshjeve dhe këpucëve kreu me sukses vizitën studimore katërditore në Suedi, e zhvilluar nga 8 deri më 11 qershor 2026. Kjo vizitë kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit me industrinë suedeze, promovimin e inovacionit, ekonomisë qarkulluese dhe transformimit të qëndrueshëm të sektorit, si dhe krijimin e mundësive të reja për partneritete dhe integrim në zinxhirët evropianë të furnizimit. Vizita u organizua në kuadër të Programit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs), nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) dhe u financua nga Qeveria e Suedisë.

Gjatë katër ditëve të vizitës, kompanitë shqiptare patën mundësinë të njihen nga afër me praktikat më të avancuara të industrisë suedeze dhe të zhvillojnë takime me disa nga kompanitë dhe organizatat më të rëndësishme të vendit.

Dita e parë u fokusua tek moda e qëndrueshme dhe transformimi dixhital. Delegacioni vizitoi Gina Tricot dhe Lindex, dy prej markave më të njohura suedeze të modës, të cilat prezantuan strategjitë e tyre të qëndrueshmërisë, iniciativat për ekonominë qarkulluese, përdorimin e materialeve të ricikluara dhe standardet e furnizimit të përgjegjshëm. Kompanitë shqiptare morën pjesë gjithashtu në takime B2B, duke eksploruar mundësi konkrete bashkëpunimi me këto marka ndërkombëtare.
Po gjatë ditës së parë u zhvillua një vizitë në Virtual Manufacturing, kompani lider në fushën e transformimit dixhital industrial, ku pjesëmarrësit u njohën me teknologjitë e zhvillimit virtual të produkteve, modelimin 3D dhe zgjidhjet që mundësojnë rritjen e efikasitetit dhe reduktimin e mbetjeve në proceset e prodhimit.

Në ditën e dytë, delegacioni vizitoi kompaninë Vagabond Shoemakers, një markë suedeze e njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e këpucëve dhe aksesorëve. Diskutimet u fokusuan tek standardet e cilësisë, gjurmueshmëria e materialeve, praktikat e prodhimit të qëndrueshëm dhe mundësitë për partneritete afatgjata me prodhuesit shqiptarë.
Gjithashtu, përmes ekspertëve të ETON Systems, kompanitë pjesëmarrëse u njohën me teknologjitë moderne të automatizimit të linjave të prodhimit, të cilat kontribuojnë në rritjen e produktivitetit dhe optimizimin e proceseve industriale.

Dita e tretë iu kushtua inovacionit teknologjik dhe ekonomisë qarkulluese. Delegacioni zhvilloi vizita në ACG Kinna Automatic, kompani me përvojë të gjatë në automatizimin e proceseve për industrinë e tekstileve shtëpiake, si dhe në Svegea of Sweden, e specializuar në teknologjitë moderne të prerjes dhe përpunimit të materialeve tekstile. Këto takime ofruan njohuri mbi zgjidhjet e Industrisë 4.0, automatizimin dhe përdorimin e teknologjive inteligjente në prodhim.
Një tjetër ndalesë e rëndësishme ishte Wargön Innovation, një nga qendrat më të rëndësishme suedeze për zhvillimin e ekonomisë qarkulluese dhe inovacionit në sektorin tekstil. Pjesëmarrësit vizituan laboratorët pilot dhe u njohën me teknologjitë e klasifikimit automatik të tekstileve dhe modelet e reja të biznesit që mbështesin tranzicionin drejt një industrie më të qëndrueshme.

Në ditën e fundit të programit, delegacioni vizitoi Snickers Workwear, markë suedeze e specializuar në veshje profesionale me performancë të lartë, ku u diskutua mbi standardet skandinave të cilësisë, materialet inovative dhe zhvillimin e produkteve teknike për tregjet ndërkombëtare.
Programi përfshiu gjithashtu takime me institucione dhe organizata me rol të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë së qëndrueshme, ndër të cilat Sida – Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim, Apparel Impact Institute (AII), National Board of Trade – Open Trade Gate Sweden dhe Stockholm Environment Institute (SEI). Këto takime u fokusuan në politikat e zhvillimit të qëndrueshëm, dekarbonizimin e industrisë, mekanizmat e financimit, si dhe mundësitë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit.
Vizita e bizneseve organizuar nga UNIDO për në Suedi, përfaqësoi një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet industrisë shqiptare dhe ekosistemit suedez të inovacionit dhe qëndrueshmërisë. Përmes shkëmbimit të eksperiencave, takimeve B2B dhe njohjes me praktikat më të mira evropiane, kompanitë shqiptare fituan njohuri të vlefshme dhe krijuan kontakte të reja që pritet të kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve të tyre, modernizimin e proceseve të prodhimit dhe zgjerimin e pranisë së tyre në tregjet ndërkombëtare.