Baste Sportive Online. Pagesa Vetëm Nëpërmjet Bankës, Jo Cash

Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim të ri që rregullon mënyrën e pagesave në baste sportive online. Nga tani, çdo depozitë dhe tërheqje do të kryhet vetëm nëpërmjet agjentëve financiarë të licencuar nga Banka e Shqipërisë — pagesat cash janë rreptësisht të ndaluara.
Çdo transaksion duhet të jetë i identifikueshëm dhe i gjurmueshëm, ndërsa fondet e lojtarëve do të mbahen në llogari të veçanta. Organizatorët janë të detyruar të verifikojnë identitetin e lojtarit dhe të refuzojnë çdo pagesë që vjen nga llogari të palëve të treta.
Tërheqjet bëhen vetëm në të njëjtin mjet pagese që është përdorur për depozitim, dhe fitimet kreditohen ekskluzivisht në llogarinë personale të lojtarit. Transaksionet e pazakonta për nga shuma apo shpeshtësia duhet të raportohen pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare.
Sa i përket bonuseve dhe promocioneve, këto nuk konsiderohen fonde reale dhe nuk mund të tërhiqen pa plotësuar kushtet e organizatorit.
Organizatorët janë të detyruar të kryejnë rakordim ditor të llogarive, të raportojnë çdo muaj tek AMLF dhe të ruajnë të dhënat e transaksioneve për të paktën pesë vjet. Ankesat e lojtarëve duhet të trajtohen brenda 30 ditëve.
Udhëzimi hyn në fuqi pas 15 ditësh nga botimi.