Baste sportive pranë shkollave në kryeqytet, arrestohen 2 persona, procedohen 2 të tjerë

Policia ka arrestuar 2 persona dhe ka proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi dyshohet se ushtronin aktivitet të paligjshëm të basteve sportive në dy lokale pranë shkollave në Tiranë.
Në kuadër të operacionit të koduar “WEB page”, policia ka kontrolluar disa ambiente pranë institucioneve arsimore, ku ka zbuluar dy lokale ku vendoseshin baste sportive përmes celularëve.
Në pranga kanë rënë D. Gj., 24 vjeç, dhe K. Ç., 48 vjeç. Ndërkohë, nisi procedimi penal për I. M., 54 vjeç, dhe një 17-vjeçar.
Sipas policisë, në njërin prej lokaleve, që administrohej nga 48-vjeçari K. Ç., u kap duke vendosur baste sportive 24-vjeçari D. Gj. Në të njëjtin lokal ndodhej edhe 54-vjeçari I. M., i cili dyshohet se ishte i përfshirë në këtë veprimtari.
Në lokalin tjetër, policia gjeti një 17-vjeçar, i cili punonte aty dhe vendoste baste sportive.


