“Bllokoi foltoren dhe pengoi seancën”, PS kërkon përjashtimin me 20 ditë të Agron Shehajt nga parlamenti

Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin e kreut të Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj me 20 ditë nga punimet e parlamentit.
Sipas PS, në seancën e së hënës Shehaj ka bllokuar foltoren dhe pas tërheqjes së vëmendjes ai nuk e ka liruar atë duke penguar vazhdimin normal të seancës parlamentare.
Sekretariati për Procedurat, Votimin dhe Etikën do të mblidhet sot në orën 12:00 për të vendosur për përjashtimin ose jo të Shehajt me 20 ditë.
“Gjatë zhvillimit të seancës sipas listës së diskutantëve deputeti Agron Shehaj mori fjalën brenda minutazhit të parashikuar nga Rregullorja e Kuvendit. Megjithatë, pas përfundimit të kohës prej 2 minuta, deputeti Agron Shehaj nuk u largua nga foltorja, duke mbajtur të bllokuar foltoren e Kuvendit, në kundërshtim dhe në shkelje të Rregullores. Në zbatim nenit 64 të Rregullore së Kuvendit, deputetit ju dha masa “Tërheqje e vëmendjes” pasi ai përdori gjuhë joparlamentare dhe me sjelljen e tij pengoi zhvillimin normal të seancës plenare. Edhe pas kërkesës së bërë nga drejtuesja e seancës për të vijuar normalisht me rendin e ditës, deputeti Shehaj nuk u tërhoq nga shkeljet. Kështu që në mbështetje të nenit 64/1 të Rregullores së Kuvendit, deputeti cënoi rendin e seancës plenare dhe zaptoi foltoren duke penguar deputetin e radhës të marrë fjalën, ai mori masën “Vërejtje”.
Në shkelje të Rregullores së Kuvendit, deputeti Shehaj vijoi të përdorë fjalë fyese dhe kundërshtuese ndaj drejtueses së seancës dhe më pas të agresonte verbalisht deputetë të Grupit Parlamentar të PS. Sipas përshkallëzimit të masave kur deputeti vijon sjelljen për të cilat është paralajmëruar atij i jepet masa ” Heqje e së drejtës se fjalës në seancë plenarë”, masë e cila ju komunikua deputetit. Edhe pas kërkesës për tu kthyer në normalitet, deputeti vijoj përsëri të pengonte zhvillimin e seancës plenare, duke mos lejuar deputetin e radhës të marrë fjalën dhe në këto kushte drejtuesja e seancës i komunikoi deputetit Agron Shehaj masën e përjashtimit nga seanca në zbatim të nenit 65 të Rregullores së Kuvendit.
Edhe pas marrjes së masës për tu përjashtuar nga seanca plenare dhe thirrjeve të përsëritura të drejtueses së seancës për të liruar sallën, deputeti refuzoi të dalë nga salla, duke shkaktuar kështu edhe bllokimin e vijimit normal të punimeve të Kuvendit dhe duke i pamundësuar 6 deputetëve fjalën e tyre në emër të zgjedhësve. Për sa më sipër, ne një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, nisur nga marrja e të gjitha masave paraprake ndaj deputetit Agron Shehaj, në zbatim të Rregullores së Kuvendit, deputeti edhe pas tërheqjes së vëmendjes, dhënies së vërejtjes dhe përjashtimit nga seanca, pengoi zhvillimin e rregullt të seancës, shkaktoi kaos në sallë, fyerje dhe përdorim i një gjuhë joparlamentare ndaj drejtueses së seancës dhe ndaj deputetëve të PS, refuzoi të dalë nga salla plenare, sjellje këto të përsëritura prej tij, kërkojmë marrjen e masës “Përjashtim nga pjesëmarrja në seancë plenare dhe/ose komisione deri në 20 ditë”, e parashikuar në nenin 65/1 pikat 3 dhe 4 të Rregullores së Kuvendit”, thuhet në kërkesën e PS drejtuar Kuvendit.
Kërkesa është firmosur nga 10 deputetë.



