DETAJE/ Shpërthimi i bombolës së gazit i mori jetën 24-vjeçares dhe dy fëmijëve në Postribë, çatia u shemb dhe i zuri poshtë

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike e ndodhur në fshatin Domen të Postribës, ku humbën jetën një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur.
Sipas informacioneve viktima, Bleona Çelaj, ndodhej në banesë së bashku me dy fëmijët e saj, të moshës 18 muajsh dhe 3 vjeç, kur dyshohet se ka shpërthyer bombola e gazit.
Paraprakisht mësohet se në momentin kur 24-vjeçarja ka ndezur bombolën e gazit, ajo ka shpërthyer menjëherë, duke shkaktuar zjarr dhe pasoja fatale.
Si pasojë e shpërthimit, është shembur edhe çatia e banesës, duke i zënë nën rrënoja nënën dhe dy fëmijët e saj, të cilët humbën jetën në vend.
Familja ishte kthyer së fundmi nga Gjermania dhe kishte shkuar në shtëpinë e vjetër familjare në fshatin Domen.
Forcat zjarrfikëse u përballën me vështirësi për shkak të terrenit të vështirë, pasi banesa ndodhej rreth 30 minuta larg rrugës kryesore në këmbë.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri në këtë fazë, hetimet paraprake tregojnë se pista kryesore mbetet ajo e një ngjarjeje aksidentale, ndërsa pritet ekspertiza për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit dhe zjarrit.