Kamera inteligjente në rrugë dhe kufij të rinj shpejtësie/ Qeveria ndryshon rregullat e trafikut në Shqipëri

Aktualitet

Kamera inteligjente në rrugë dhe kufij të rinj shpejtësie/

Qeveria pritet të ndryshojë mënyrën e kontrollit të trafikut në Shqipëri, duke zgjeruar përdorimin e kamerave inteligjente dhe duke rishikuar kufijtë e shpejtësisë në rrjetin kombëtar rrugor.

Masat janë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030 dhe planit të saj të veprimit, i publikuar në Fletoren Zyrtare. Dokumenti parashikon instalimin e kamerave të shpejtësisë dhe sistemeve të reja të sinjalistikës inteligjente në pika të përzgjedhura të rrjetit rrugor gjatë periudhës 2027–2029.

Kamerat do të përdoren për monitorimin e shpejtësisë së automjeteve dhe do të lidhen me Qendrën e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut, duke krijuar një sistem më të centralizuar të mbikëqyrjes së lëvizjes në rrugë.

Zbatimi i kësaj mase do të jetë përgjegjësi e Autoritetit Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, strukturat e transportit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Kufij të rinj shpejtësie sipas rrezikut

Përveç kamerave, strategjia parashikon edhe rishikimin e kufijve aktualë të shpejtësisë. Ndryshimet do të bazohen në të ashtuquajturën “Qasje e Sistemit të Sigurt”, ku kufiri i lejuar do të përcaktohet duke marrë parasysh karakteristikat e rrugës, sigurinë e automjeteve dhe mundësinë që trupi i njeriut të përballojë pasojat e një përplasjeje.

Kjo do të thotë se kufijtë e shpejtësisë mund të ndryshojnë nga një segment rrugor në tjetrin, në varësi të nivelit të rrezikut dhe kushteve të qarkullimit.

Në zonat urbane, plani parashikon masa për qetësimin e trafikut, ndërhyrje pranë shkollave dhe përmirësime në zonat ku ka lëvizje të shumta të këmbësorëve.

Monitorim i vazhdueshëm i drejtuesve

Strategjia përcakton gjithashtu monitorimin e numrit të automjeteve që lëvizin brenda kufijve të lejuar të shpejtësisë në kushte normale trafiku.

Ky tregues do të përdoret për të vlerësuar zbatimin e masave të reja dhe për të orientuar kontrollet policore, si dhe fushatat e ndërgjegjësimit për sigurinë rrugore.

Qëllimi i planit është ulja e aksidenteve dhe krijimi i një sistemi më të sigurt të qarkullimit, përmes kombinimit të kontrolleve elektronike, rregullave të reja dhe ndërhyrjeve në infrastrukturë./MONITOR

ME TE LEXUARAT