DETAJE/ U nisën për të shitur peshk, çifti në Borsh u përplas për vdekje nga automjeti me 200 km/h
Detaje të reja kanë dalë lidhur me aksidentin e rëndë që përgjaku Borshin mesditën e kësaj të mërkure, ku burrë e grua fatkeqësisht humbën jetën.
Burime për mediat bëjnë me dije se Kujtim Mehmeti, 60 vjeç dhe bashkëshortja e tij, emri i të cilës nuk është bërë ende publik, ishin duke udhëtuar me mjetin tip furgon “Benz Vito” kur papritur para rrugës së tyre u shfaq një fouristradë tip Benz me drejtues shtetasin Myfit Qejvani.
Qejvani, i cili ishte duke udhëtuar në kahun e kundërt dhe me rreth 200 km/h u përplas “kokë më kokë” me mjetin e çiftit të bashkëshortëve. Deri në këto momente thuhet se shoferi i benzit nuk bëri asnjë përpjekje për të frenuar, përplasje e cila përfundoi në një tragjedi.
Fatkeqësisht si pasojë humbën jetën çifti i bashkëshortëve, ndërkohë që vetë Qejvani dhe pasagjeri që po udhëtonte me të u dërguan me urgjencë në spital në gjendje të rëndë për jetën.