“Dilni në terren”, Tirana ndahet në blloqe, zbulohen porositë e Ramës për drejtuesit socialistë
Në selinë e Partisë Socialiste ka përfunduar mbledhja e kryeministrit Edi Rama me deputetët dhe drejtuesit e bashkisë së Tiranës.
Shefi i qeverisë u ka kërkuar të vetëve të dalin në terren dhe të zhvillojnë sa më shumë takime me qytetarët, në mënyrë që të njohin problematikat e tyre.
Në mbledhjen e dytë mësohet se Rama u ka thënë sërish se nuk e di nëse do të ketë zgjedhje të pjesshme për bashkinë e Tiranës, dhe se kjo do të përcaktohet edhe nga faktorë të tjerë.
“Nuk po e bëjmë këtë gjë për të menduar se do të ketë zgjedhje apo jo, por ne na besuan qytetarët dhe duhet ti kthejmë besimin në shërbime”, mësohet të jetë shprehur kryeministri.
Burime nga mbledhja po ashtu bënë me dije për A2 CNN, se Rama ka kërkuar që bashkia e Tiranës të ndahet në blloqe për të skanuar 4 shtyllat kryesore: hapësirat publike, parkingjet, lejet e ndërtimit dhe shërbimet.
Grupet e punës do të ndahen në vijim nga drejtuesja politike e qarkut, Ogerta Manastirliu dhe kryetarja e komanduar Anuela Ristani.