Ditmir Bushati: Protestat po ndërtojnë një Shqipëri të re, korrupsioni mbetet pengesa kryesore për BE-në

Aktualitet

Ditmir Bushati: Protestat po ndërtojnë një Shqipëri të

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e përshkruan valën e protestave në Shqipëri si një çast historik për demokracinë dhe për procesin e integrimit evropian të vendit.

Në një opinion të botuar nga EUalive, ai vëren se lëvizja qytetare ka sjellë një frymë të re solidariteti, dinjiteti dhe vetëdijeje publike.

Bushati thekson se jehona që këto protesta kanë marrë në mediat prestigjioze ndërkombëtare është “investimi më i mirë” për imazhin e Shqipërisë dhe për rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Protestat në Shqipëri pasqyrojnë shqetësime të thella që kërkojnë reflektim serioz dhe veprime kuptimplota në lidhje me modelin demokratik dhe zhvillimor të vendit”, shkruan ai.

Sipas Bushatit, pjesa më e madhe e protestuesve i përket brezit të lindur pas viteve ’90, i cili nuk lidhet as me trashëgiminë e komunizmit dhe as me tranzicionin e zgjatur politik. Ai thotë se ky brez kërkon një Shqipëri me mundësi të barabarta, institucione demokratike dhe standarde evropiane.

Në analizën e tij, ish-kryediplomati e cilëson protestën si një “çlirim kolektiv emocional” që nuk udhëhiqet nga partitë politike, por lind nga vetë qytetarët, të cilët kundërshtojnë arrogancën e pushtetit, korrupsionin dhe lidhjet mes politikës, oligarkisë dhe krimit të organizuar.

Ai shton gjithashtu se Shqipëria nuk ka pasur më parë një mbështetje kaq të gjerë ndërkombëtare për një lëvizje qytetare, duke nënvizuar se mediat e huaja po fokusohen te kërkesa e shqiptarëve për demokraci funksionale, meritokraci dhe mbrojtje të interesit publik.

Sipas Bushatit, korrupsioni, institucionet e politizuara dhe kapja e aseteve publike janë pengesat më të mëdha në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ndërsa protestat shprehin dëshirën e qytetarëve për t’i afruar standardet evropiane me realitetin shqiptar.

Në fund, ai deklaron se fryma e protestës tashmë e ka tejkaluar vetë demonstratat dhe paralajmëron se shpërfillja e kësaj gjendjeje vetëm do ta rrisë koston e ndryshimit.

“Shqipëria ka kapërcyer sfida të mëdha duke qëndruar e bashkuar. Ky moment kërkon më shumë patriotizëm, përgjegjësi, etikë, ide, përqendrim forcash dhe guxim. Shqipëria meriton më mirë”, përfundon Bushati.

ME TE LEXUARAT