Drejtori i Përgjithshëm Hita: Do të kontribuojmë maksimalisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve…

Aktualitet

Drejtori i Përgjithshëm Hita: Do të kontribuojmë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Qendrës së Çaktivizimit të Armëve të Vogla e të Lehta dhe pajisjeve për funksionimin e saj.

Hita e cilësoi këtë ceremoni si një moment të rëndësishëm për Policinë e Shtetit dhe për të gjitha institucionet që kontribuojnë në sigurinë, stabilitetin dhe luftën kundër përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla e të lehta.

“Mbi të gjitha, ky moment lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e fëmijëve tanë, që janë e ardhmja e këtij vendi, çka përbën prioritetin më të lartë në punën tonë të përditshme. Bashkëpunimi prej më shumë se 4 vitesh me OSBE-në dhe partnerët ndërkombëtarë sot po konkretizohet me ngritjen e kësaj qendre moderne”, tha Hita.

Ai theksoi se ky investim përfaqëson një hap konkret në përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke dhënë sipas tij, një kontribut të drejtpërdrejtë në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar.

“Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar në luftën kundër armëmbajtjes pa leje dhe çdo forme të kriminalitetit që cenon sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Paralelisht, përmes strukturave tona të Policimit në Komunitet, ne vijojmë fushatat sensibilizuese, veçanërisht me të rinjtë dhe në shkolla, për të parandaluar rrezikun që sjell mbajtja e armëve, fushata këto të mbështetura fuqishëm nga OSBE-ja dhe partnerët e tjerë të Policisë së Shtetit.

Në aleancë të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ne do të kontribuojmë maksimalisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve globale, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në vend, në rajon e më gjerë”, tha Hita.

ME TE LEXUARAT