“Dua përgjimet ambientale”/Zbardhen kërkesat e Kryemadhit përballë SPAK-ut dhe gjykatës

Gjatë seancës së sotme gjyqësore ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe të pandehurve të tjerë, pati debate në sallë mes Monika Kryemadhit, përfaqësuesve të SPAK dhe trupës gjykuese lidhur me provat e administruara në dosje.
Kryemadhi pretendoi se materialet hetimore nuk i janë vënë në dispozicion në mënyrën e duhur, duke theksuar se USB-ja e dorëzuar nga akuza është e paaksesueshme.
“Kam marrë provat dhe më është dhënë një USB nga akuza, por nuk hapet. Kërkoj të merren masa që të më vihet në dispozicion siç duhet. Gjithashtu nuk më janë dhënë aktet për çdo përgjim të familjarëve,” deklaroi ajo në sallë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SPAK thanë se çështja teknike me USB-në do të zgjidhet.
“USB është marrë në gjykatë? Do ta verifikojmë dhe do t’jua japim sërish,” u shpreh prokuroria.
Debati vijoi kur Kryemadhi kërkoi edhe materialet e përgjimeve, duke pretenduar se ato mungojnë në dosje.
“Dua edhe përgjimet. Nuk i keni futur në dosje,” tha ajo.
Gjykata reagoi duke sqaruar se nuk mund të dorëzojë materiale që nuk i disponon.
“Gjykata nuk ka si t’ju japë diçka që nuk e ka në administrim, pra nuk ka përgjime,” u shpreh trupa gjykuese.
Por Kryemadhi këmbënguli se në listën e provave përmenden mbi 20 përgjime ambientale, të cilat sipas saj nuk janë përfshirë në materialet e dorëzuara.
“Në listën e provave thuhet se ekzistojnë mbi 20 përgjime ambientale dhe ne kërkojmë t’i marrim. Në materialet që kemi, ato nuk janë,” deklaroi ajo.
Gjykata sqaroi më tej se është detyrim i organit procedurial që t’ua vendosë këto materiale në dispozicion palëve.
Seanca pati edhe momente ironie në sallë, kur Kryemadhi komentoi kostot e ambienteve të përdorura për përgjime.
“Me çfarë lekësh i bënë këto ambiente?”, tha ajo.
Nga salla u dëgjua një zë që iu përgjigj: “Me paratë e konfiskuara të krimit”.
Në fund, Kryemadhi iu drejtua edhe avokatit të Ilir Meta me tone ironike lidhur me mënyrën e argumentimit të tij në sallë.
“Fole si në parlament anglez, duhet ta kishe thënë më shkurt: ‘Çfarë është ky kafaz?’”, u shpreh ajo.


