Çështja CEZ-DIA/ GJKKO shtyn seancën për Fatime Kryemadhin, Ema Çokun dhe Pirro Xhixhon

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur këtë të hënë shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj Fatime Kryemadhit, Ema Çokut dhe Pirro Xhixhos.
Mësohet se, shkak për këtë shtyrje është bërë mungesa e Fatime Kryemadhit, avokatit të saj mbrojtës, si dhe e të pandehurit Pirro Xhixho, ndërsa seanca e radhës është caktuar për datën 13 korrik.
Këta tre të pandehur po gjykohen të veçuar nga ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-deputetja Monika Kryemadhi, pasi gjykata pranoi kërkesën e tyre për gjykim të shkurtuar.
Kjo procedurë i lejon ata të përfitojnë uljen e dënimit me një të tretën në rast se shpallen fajtorë, duke u shqyrtuar dosja vetëm mbi bazën e akteve të administruara nga SPAK.
Sipas hetimeve të SPAK-ut, të pandehurit akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Hetimi është fokusuar në kontrata të padeklaruara për shërbime mjekësore, transaksione financiare të pajustifikuara përmes familjarëve, si dhe dyshime për lobime të paligjshme jashtë vendit dhe aferën “CEZ-DIA”.


