“Mos duroni më tranzicionin dhe korrupsionin”/ Zv/Presidenti i PE i bashkohet protestës: Edi Rama ka frikë!

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, njëkohësisht edhe eurodeputeti rumun, Nicolae Ștefănuță, ka mbajtur fjalën e tij në protestën e 30-të para Kryeministrisë me një qeleshe në kokë, duke shprehur mbështetjen për qytetarët shqiptarë.
Duke kujtuar rrëzimin e regjimit të Nicolae Çausheskut në Rumani, eurodeputeti tha se shqiptarët nuk duhet të presin më dekada për ndryshim.
“Unë isha 9 vjeç kur pashë Çausheskun të rrëzohej dhe ju pritët 30 vite derisa Enver Hoxha u rrëzua. Por tani nuk keni pse të prisni sërish aq gjatë. Mjaft me këtë korrupsion, mjaft me këtë tranzicion, mjaft me këtë diktaturë”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, eurodeputeti u bëri thirrje protestuesve të mos dorëzohen, ndërsa tha se Europa është në shesh, ndërsa Edi Rama jo, pasi sipas tij, është i frikësuar.
“Pse Evropa është këtu dhe Edi Rama nuk është këtu? Pse? Ndoshta sepse është i frikësuar. Dhe nëse është kështu, ju duhet të keni kurajë ta rrisni frikën e tij”, tha Ștefănuță, ndërsa deklaroi se rruga mund të jetë e gjatë, por protestuesit janë “në anën e duhur të historisë”.


