Fadroma të shumta zbarkojnë në Vlorë, nis shembja e disa objekteve pa leje

Bashkia e Vlorës ka ka vijuar me ndërhyrjet në tre lagje të ndryshme të qytetit. Në fokus janë shembjet e objekteve të ndërtuara pa leje ose që janë në proces legalizimi, të cilat janë kthyer në pengesë për projektet e rehabilitimit dhe sistemimit të zonave.
Në total janë 20 objekte që preken nga këto ndërhyrje. Pesë prej tyre ndodhen në zonën e Tregut të Orizit, ndërsa 15 të tjera janë të vendosura mbi kanalin e Naunkes ose në afërsi të tij.
Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, ka bërë të ditur se, përveç objekteve, në kuadër të ndërhyrjeve do të preken edhe rreth 2 mijë metra linearë mure rrethuese në lagjen “24 Maji” dhe rreth 1 mijë metra të tjerë në zonën pranë Tregut te orizit.
Nga objektet e përfshira në projekt, deri më tani janë shembur ato që janë ndërtuar pa leje, mes tyre edhe disa ndërtime të ngritura mbi kanalin e Naunkës. Ndërkohë, për objektet e tjera do të vlerësohet nëse janë përfshirë në procesin e legalizimit, si dhe distanca e tyre nga kanali kullues, për të përcaktuar nëse do të vijojë procesi i shembjes.
Për familjet që preken nga ndërhyrjet, fillimisht parashikohet mundësia e përfitimit nga bonusi i qirasë dhe më pas, sipas rastit, nga skemat e dëmshpërblimit.
Kryetarja e Bashkisë Vlorë ka theksuar gjithashtu se këto objekte, përveçse janë pengesë për realizimin e projekteve të rehabilitimit, kanë krijuar problematika edhe në menaxhimin e situatave të përmbytjeve në qytet.
Një prej zgjidhjeve të parashikuara është ndërtimi i qemerit të qytetit, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Projekti synon të ndërhyjë në disa prej zonave kryesore të qytetit që janë më të prekura nga përmbytjet.
Ndërkohë, banorët e zonave ku po kryhen ndërhyrjet i konsiderojnë të rëndësishme projektet për rehabilitimin dhe sistemimin e kanalit kullues. Megjithatë, ata kërkojnë që familjet që preken nga shembjet të dëmshpërblehen dhe që procesi të zbatohet në mënyrë të barabartë, pa ndërhyrje selektive.
Ndërhyrjet parashikojnë shembjen e disa objekteve që rezultojnë pengesë për projektet e rehabilitimit në lagje të ndryshme të qytetit, por në fokus është edhe lirimi dhe sistemimi i kanalit kullues kryesor, atij të Naunkes.
Ky kanal konsiderohet një prej pikave të rëndësishme për menaxhimin e ujërave në qytet, ndaj ndërhyrja synon të përmirësojë kullimin dhe të reduktojë problematikat që shfaqen gjatë reshjeve të dendura dhe situatave të përmbytjeve.


