“Çfarë roli kishte Hashim Thaçi në UÇK?”/ Ish-ushtari kujton tmerret e regjimit serb: Tortura shtazarake

Ylber Topalli është një nga 52 të parët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte sot në një lidhje për emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin në Top Channel, ku u shpreh se ‘dita e djeshme ishte një ditë e errët për të gjithë kombin shqiptar, sidomos për UÇK-në’.
“Ishte ditë e errët sidomos për UÇK që e dinë formën se si u zhvillua lufta, manipulimet që janë bërë në gjykimin e katër ish-liderëve. Është pritur keq”, tha Topalli, duke komentuar vendimin që u mor një ditë më parë për dënimin me burg të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
I pyetur se si e kujton natën e bastisjes, Topalli shprehet: “Ka ndodhur pas iniciativave për të shtrirë celulat e ushtrisë në Ferizaj. Erdhi arrestimi im në shtëpi, kam dokumentarë që kam bërë rrëfimet e tmerrshme që burgosurit kanë patur në burgjet serbe.
Ka patur deri në eliminime. Janë tre të vrarë në mënyrë makabre prej rrymës apo gjërave teknike. Pjesa tjetër janë invalidë. Hetuesia ka filluar me mjete të dhunshme, tortura. Unë jam i vetmi i atij grupi që kam përjetuar daljen nga burgu. Ka patur tortura shtazarake.
Pas burgut kam pasur vështirësi me i pa njerëzit në mënyrë humane. Pyesja ‘a ka mundësi njeriu me qenë aq i vrazhdë me dikë si vetja? Edhe shokët e mi që kanë mbijetuar janë me pasoja të rëndë”.
Ndërsa i pyetur nëse mund të flas për rolin e Hashim Thaçit në UÇK, Ylber Topalli tha se ka qenë njëri prej themeluesve dhe nuk ka patur të bëjë me krimet në terren.
“A keni ju dijeni nëse ndonjë nga ata persona që kanë shkaktuar dhunë ndaj popullit të Kosovës, gardianët, janë dënuar”, e pyeti Sidorela Gjoni dhe Topalli u përgjigj: “Është i madh numri i tyre. Unë kam disa prej oficerëve serb që kanë vepruar në kohën e regjimit dhe kanë torturuar popullin, janë në burg tani.
Është dhe një prej oficerëve që ka qenë pjesë ë këtyre krimeve. Gardianët që kanë bërë tortura janë dënuar dhe kushtet janë si për të gjithë të tjerët që janë aty në burg të dënuar”.


