Fermerët derdhin luleshtrydhet në rrugë: Të ndalët abuzimi i grumbulluesve me çmimin! Nëse kanë pesticide, të më varin!

Aktualitet

Fermerët derdhin luleshtrydhet në rrugë: Të ndalët

FIER – Dhjetëra fermerë nga fshatrat e njësisë administrative Frakull dolën në protestë paraditen e kësaj të hëne, për shkak se çmimi i ulët i luleshtrydhes po i çon drejt falimentimit.

Protesta u zhvillua pranë vendit të njohur si “Rotondo e Kafaraj”, në aksin nacional Levan–Tepelenë, ku fermerët bllokuan përkohësisht qarkullimin dhe hodhën një pjesë të prodhimit në shenjë revolte.

Fermerët shprehen se ky është viti më i vështirë bujqësor, pasi për herë të parë çmimi ka rënë në rreth 80 lekë për kilogram, ndërkohë që kostot e prodhimit janë po në këtë nivel. Situata rëndohet edhe më shumë nga përgjysmimi i prodhimit si pasojë e ngricave, lagështirës dhe përmbytjeve.

“Po shesim nën kosto, me 80 deri në 100 lekë për kilogram. Gjatë gjithë sezonit duam që çmimi të mos bjerë nën 200 lekë/kg, pra rreth 1000 lekë për arkë”, shprehen fermerët.

Ata akuzojnë pikat e grumbullimit për paracaktim të çmimeve, ndërsa pretendojnë se produkti i tyre më pas tregtohet me çmime dyfish më të larta.

“Pikat e grumbullimit i marrin me 500 lekë për arkë. Ky është turp! Me ato çmime nuk mund të mbulojmë as punëtorët, asnjë shpenzim. Është e qartë se pikat e grumbullimit dhe shteti janë të lidhura dhe nuk duan t’ia dinë për ne.”

Fermerët kanë hedhur poshtë gjithashtu pretendimet se luleshtrydhet vendase janë të ngarkuara me pesticide.

“Le të vijnë specialistët e bujqësisë të bëjnë analiza dhe të thonë ku kemi përdorur hormone te luleshtrydhet. Nëse gjendet ndonjë problem me hormone apo pesticide, mbaj unë përgjegjësi. Shkoj në burg ose të më varin në mes të Tiranës!”, u shpreh një prej tyre.

Fermerët e Frakullës në Fier u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë urgjentisht, duke kërkuar kontroll të çmimeve dhe masa mbështetëse.

“Pse nuk vjen Belinda Balluku të shohë situatën te fermerët, pasi është drejtuese e PS në qarkun tonë? Ne kërkojmë që shteti të ndërhyjë dhe të vendosë çmimin real të luleshtrydhes, të shohë sa shitet në pikat e grumbullimit dhe sa eksportohet.”

“Na ishte premtuar nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, dëmshpërblim për zonën e përmbytur, por nuk na është dhënë asgjë. I bëjmë thirrje qeverisë të veprojë sa më shpejt dhe të ndihmojë fermerët, duke marrë në konsideratë edhe koston e lartë të naftës për bujqësinë.”

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, reagoi përmes rrjeteve sociale duke mbështetur protestën dhe duke akuzuar qeverinë për mungesë subvencionesh dhe presion nga policia ndaj protestuesve.

Por vetë fermerët kanë refuzuar përfshirjen politike në protestë, duke i kërkuar Baçit të largohej, pasi protesta e tyre është qytetare dhe jo politike. Siç shihet edhe në pamje, teksa tentoi të merrte pjesë në protestë, Policia Rrugore e gjobiti deputetin për bllokim të qarkullimit rrugor./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT