"Ti nuk di nga lidhet gomari"/ Zgjedhja e Drejtorit të Policisë, Lamallari i përgjigjet Balliut: Që kur të thirrën bukurosh...

Balliu: Zar i radhës i Ballukut. Që tre ditë më parë e dinim që Skënder Hita do të emërohej sot vetëm u zyrtarizua krim i radhës. Në dosjen e Ballukut thuhet se ka pasur kërcënime me jetë ndaj dëshmitarëve nga eksponentë të krimit. Në dosjen e kësaj zonje, që sot emëron drejtorin e Policisë, merr në dorë të gjithë Ministrinë e Brendshme. Se siç ka thënë Rama, ministrat e Brendshëm do të merren me adresat.
Lamallari: Në fakt, Policia ose shtetit shqiptar i duhet dhënë mbështetje, besim dhe le ta provojë me punë dhe me përkushtim që i shërben shtetit shqiptar, qytetarëve dhe integrimit të vendit. Z. Hita është oficer karriere, unë kam pasur rastin të bashkëpunoj me të prej 9 vitesh tashmë, qëkur unë pata nderint’i bashkohem Ministrisë së Brendshme. Ka qenë drejtues në disa qarqe të vendit ku ka spikatur për profesionalizmin, integritetin, përkushtimin ndaj uniformës e organizatës dhe jam i lumtur që si një nga kandidatët më të vlerësuar të konkursit të mbikëqyrur edhe nga partnerët ndërkombëtarë, kryesisht ata të BE që kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë ditës, ka spikatur roli dhe kontributi i tij.
Besoj që Hita, paraardhësit dhe ata që do të vijnë më pas janë mësuar që gjithçka bëhet politike, por për fat të keq, edhe Policia e Shtetit politizohet dhe çfarëdo që të bëjnë do të kenë mallkimin e pashmangshëm të një opozite që vetëm hedh baltë mbi çdokënd, institucionalizon dhunën duke e bërë instrument politik. I vetmi faj që ka çdo përfaqësues i Policisë së Shtetit, deputetit në fjalë qëkur iu thirr bukurosh i është bërë obsesion dhe tani nuk i ndahet këtij muhabeti, anatemon çdokënd dhe e përdor për politikë bajate e ordinere.
Drejtorit të ri duhet t’i urojmë mbarësi e suksese në misionin e shenjtë për garantimin e rendit dhe sigurisë, edhe gjatë protestave që ju bëni dhe molotovëve që hidhni duke mbajtur në njërën dorë flamujt e vendeve të BE dhe hidhni përtokë e shkelni flamurin kombëtar. Turpi qoftë me ju!.
Balliu: Në qoftë se nuk e kuptove, e thash që atë që ti mësove sot unë e mësova para 3 ditësh, sepse ti je mbajtës karrigesh jo ministër. Ti nuk di nga lidhet gomari. Ti nuk flet dot, se ti kërcen, fle, ha dhe ikën kur të thonë. Ti duhet të rrish të mbyllësh gojën dhe të dëgjosh.


