Festat ‘afrojnë’ alkoolin, mjekët apel rinisë: Mos abuzoni! Jo ‘eksperiment’ me drogat, rrezikoni shëndetin

Aktualitet

Festat ‘afrojnë’ alkoolin, mjekët apel rinisë: Mos

Atmosfera festive shoqërohet me abuzim të konsumimit të alkoolit dhe eksperimentim me lëndë narkotike te moshat nga 18 deri 20 vjeç. Mjekët apelojnë për kujdes pasi pasojat në shëndet arrijnë deri helmim, humbje të vetëdijes dhe reflekseve, rrezik ky edhe për aksidente rrugore

Në prag të festave të fundvitit, rreziku i abuzimit me alkoolin dhe lëndët narkotike nga të rinjtë shënon rritje.

Shefi i Shërbimit të Toksikologjisë në QSUT, Andrin Tahiri, shpjegon se të rinjtë janë më të prirur të kërkojnë një gjendje euforie të menjëhershme, pa kuptuar pasojat serioze për shëndetin.

“Të rinjtë janë grupi më i ekspozuar ndaj konsumimit të alkoolit, drogave dhe koktejeve të ndryshme. Duke qenë në një moshë entuziaste dhe të rrethuar nga atmosfera festive, ata shpesh kërkojnë një gjendje euforie "aty për aty", pa marrë parasysh pasojat afatgjata dhe të dëmshme që këto substanca kanë në organizëm gjatë periudhave të caktuara festive, fokusi zhvendoset te helmimet akute ku konsumi i tepërt i alkoolit arrin nivele që dëmtojnë rëndë shëndetin”, tha Andrin Tahiri, shefi i toksikologjisë, QSUT.

Shqetësuese është ulja e moshave të përdoruesve të lëndëve narkotike.

‘Rastet e 16-vjeçarëve konsiderohen si raste të izoluara ku ata tentojnë të ndjehen "më të rritur", ndërsa rastet më të shpeshta të abuzimit dhe eksperimentimit me drogat vërehen te të rinjtë e moshave 18, 19 dhe 20 vjeç”, tha ai.

Sipas Tahirit, konsumimi i tepruar i alkoolit apo i lëndëve narkotike sjell humbjen e vetëdijes, që mund të çojë edhe në humbje jete.

“Humbje të koshiencës dhe vetëdijes. Mungesë orientimi dhe humbje të reflekseve. Rrezik të shtuar për trauma të trafikut rrugor dhe dëme të tjera të pakontrolluara që mund të çojnë deri në fatalitet’, tha ai.

Mjekët u bëjnë thirrje të rinjve për kujdes të shtuar. /Shqiptarja

ME TE LEXUARAT