Flakët në Mallakastër jashtë kontrollit, kryebashkiaku Ismailaj: Shuarja e pamundur, nesër rifillojmë ndërhyrjen nga ajri

Aktualitet

Flakët në Mallakastër jashtë kontrollit, kryebashkiaku

14 vatra zjarri janë raportuar gjatë së mërkurës, prej të cilave 7 vijojnë të mbeten aktive. Situata më problematike paraqitet në fshatrat Riban dhe Ngraçan në bashkinë e Mallakastrës. Gjatë orëve të pasdites flakët kanë përparuar me shpejtësi në masivet pyjore duke djegur pisha. Ndonëse në terren janë angazhuar zjarrfikëse nga disa bashki, kryebashkiaku i Mallakastrës deklaron se ka qenë e pamundur nga forcat zjarrfikëse që vatrat të izolohen. 

“Për shkak të erës sidomos në darkë kemi një përhapje në masivin pyjor të Ngraçanit dhe pak në pjesën e Lofkëndit. Aktualisht do të punohet me monitorim dhe mbajtjen nën vëzhgim për të mos pasur problematika të theksuara. Nesër në mëngjes do të rinisim me ndërhyrjen nga ajri”, thotë Qerim Ismailaj.

Për të parandaluar përhapjen në zonat e banuara deputeti i Mallakastrës Klevis Jahaj thotë se forcat zjarrfikëse dhe policia do të jenë gjatë gjithë natës për monitorim në terren. Një thirrje e ka edhe për banorët e zonës.

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë vigjilentë qoftë për pronën dhe jetën e tyre dhe të dëgjojnë autoritetet për udhëzimet nëse do të ketë nevojë për evakuime”, tha Jahaj.

Në Riban për herë të parë pjesë e operacionit nga ajri u bë edhe avioni zjarrfikës "Air Tractor AT-833".   Avioni i përket kompanisë me të cilën qeveria ka lidhur kontratë për blerjen e 3 avionëve të këtij tipi, të cilët do të vijne në fund të vitit. Aktualisht operacionet po kryhen nga pilotët e kompanisë, të cilëve më pas do t'u bashkohen pilotët shqiptarë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama e cilësoi aktivizimin e avionit si një forcë shtesë në përballjen me zjarret e kësaj vere.

Sipas raportimit ditor të Ministrisë së Mbrojtjes, vatra aktive zjarri ka edhe në qarkun e Elbasanit në fshatin Mjekës dhe në Shqiponjë të malit të Dardhës, në zonën malore ndërmjet Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, por pa rrezik për zonat e banuara.

Në orët e mbrëmjes një vatër zjarri përfshiu edhe parcelat kodrinore Zebel në Pocest të Maqellarës në Dibër ku flakët iu afruan banesave, por falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikësve u bë e mundur shmangia e rrezikut.

Gjatë ditës është arritur të shuhet plotësisht zjarri në Penkovë të bashkisë Selenicë, që preku 2 hektarë pyll me pisha dhe 40 automjete të braktisura.

Në operacionet për shuarjen e zjarrëve gjatë ditës janë angazhuar helikopterët e Forcës Ajrore dhe droni Bayraktar, i cili përdoret për zbulimin dhe monitorimin e vatrave të zjarrit.

 

 

 

ME TE LEXUARAT