Forcohen kontrollet në Pikat e Kalimit Kufitar, thellohet bashkëpunimi AKU-Dogana

Aktualitet

Forcohen kontrollet në Pikat e Kalimit Kufitar, thellohet bashkëpunimi

Rritja e efikasitetit të kontrolleve në Pikat e Kalimit Kufitar dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional ishin në fokus të takimit mes Drejtoreshës së Përgjithshme të Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Blerina Gjylameti, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Besmir Beja.

Gjatë bisedës u theksua rëndësia e konsolidimit të kontrolleve të përbashkëta për parandalimin e çdo rreziku që cenon sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorit.

Palët ndanë angazhimin për rritjen e bashkërendimit operacional dhe shkëmbimin në kohë reale të informacionit, me synim ndërhyrje më inteligjente dhe kontrolle të bazuara në analizën e riskut.

Në fjalën e saj, Gjylameti nënvizoi vijimin e investimeve për përmbushjen e standardeve tekniko-ligjore, duke evidentuar përmirësimin e infrastrukturës në pikat e inspektimit kufitar, përfshirë magazinat, ambientet frigoriferike dhe laboratorët e kontrollit, si elementë kyç në garantimin e sigurisë ushqimore.

Nga ana e tij, kreu i DPD-së, Beja theksoi domosdoshmërinë e shkëmbimit sistematik të të dhënave ndërmjet institucioneve, me qëllim rritjen e efektivitetit të kontrolleve dhe garantimin rigoroz të standardeve të importit.

Drejtuesit dakordësuan mbi intensifikimin e mekanizmave të koordinimit dhe ngritjen e praktikave të përbashkëta të kontrollit, veçanërisht në Pikat e Inspektimit Kufitar.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë forcimin e bashkëpunimit me institucionet ligjzbatuese në mbrojtje të sigurisë ushqimore dhe shëndetit të konsumatorëve/ORA

ME TE LEXUARAT