FOTOLAJM/ “Kush e heton peshkun e madh?” – Protestuesit ironizojnë lirimin e Beqajt: “Vjedh në spitale, mbrohet në pallate!”

Protestuesit që prej 62 ditësh dalin në shesh kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama kanë përcjellë edhe këtë mbrëmje mesazhe përmes pankartave, ku një pjesë e tyre iu referuan zhvillimeve të fundit në çështjen e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Një nga pankartat kryesore ironizonte vendimin e GJKKO-së për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj Beqajt nga arrest me burg në arrest shtëpie.
“I fshiu paratë e shëndetësisë me sterilizim. Tani fshin shtëpinë me regjim! Vjedh në spitale, mbrohet në pallate”, shkruhej në pankartë.

“Peshku i madh ha të voglin. Po peshkun e madh kush e heton? Të mëdhenjtë nuk janë mbi ligjin. Llogaridhënie për të gjithë! SPAK heton. Qytetarët presin përgjigje”, thuhej në një tjetër mesazh të protestuesve.
Në tubimin e 62 nuk munguan as pankartat në anglisht, ku njëra prej tyre ironizonte etiketimet e mëparshme të protestuesve si “korba” nga kryeministri Edi Rama.

“A e dinit? Korbat mund të njohin fytyrat e njerëzve dhe të mbajnë mend ata që janë të mirë ose mizorë ndaj tyre. Dorëheqje!”, shkruhej në pankartë.
Po ashtu, protestuesit përsëritën vendosmërinë për të vijuar tubimet edhe në ditët në vijim, përmes mesazhit: “62. Nesër edhe më shumë”, ndërsa një tjetër pankartë mbante shkrimin: “SPAK heton. Qytetarët presin përgjigje.”





