Gjykatat “mbyten” nga dosjet/ 150 mijë çështje në pritje, deri në 12 vite për drejtësi

Sistemi gjyqësor në Shqipëri vijon të përballet me një ngarkesë alarmante dosjesh, ndërsa pritja për të marrë drejtësi po zgjatet në nivele rekord. Sipas raportit të Këshilli i Lartë Gjyqësor të dorëzuar në Kuvend, viti 2025 u mbyll me rreth 150 mijë çështje në pritje në të tre shkallët e gjykimit.
Situata më kritike paraqitet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku aktualisht presin shqyrtimin plot 56,990 dosje. Krahasuar me fillimin e vitit 2024, kur ishin rreth 41 mijë çështje, numri është rritur me mbi 15 mijë dosje.
Sipas raportit, për një çështje civile një qytetari shqiptar i duhen mesatarisht gati 12 vite për të marrë një vendim përfundimtar nga të treja shkallët e gjyqësorit. Konkretisht, një çështje kërkon mesatarisht 270 ditë në gjykatën e shkallës së parë, 2318 ditë në Apel dhe 1762 ditë në Gjykatën e Lartë.
Çështjet civile përbëjnë pjesën më të madhe të dosjeve të prapambetura, me rreth 67% të totalit në Apel. Ndërkohë, mungesa e gjyqtarëve mbetet një tjetër problem serioz. Në Gjykatën e Apelit mungojnë 42 gjyqtarë nga 78 që duhet të jenë në organikë, ndërsa çdo gjyqtar ka mbi 1800 dosje për të shqyrtuar.
Edhe Gjykata e Lartë vijon të ketë një stok të lartë çështjesh, megjithëse gjatë vitit 2025 ka shënuar një ulje me 20% të dosjeve në pritje. Në fund të vitit rezultonin 16,445 çështje pa vendim përfundimtar.
Ngarkesë të lartë paraqesin edhe gjykatat administrative, të cilat e mbyllën vitin me mbi 24 mijë çështje në pritje, ndërsa në gjykatat e shkallës së parë numri i dosjeve të pambyllura arriti në afro 40 mijë.
Raporti evidenton gjithashtu mungesën e gjyqtarëve në të gjithë sistemin. Gjatë vitit 2025, në vend funksionuan vetëm 306 gjyqtarë, ndërsa numri total i vakancave arriti në 111.
Shifrat tregojnë se, pavarësisht reformës në drejtësi, qytetarët shqiptarë vijojnë të përballen me pritje shumë të gjata për të marrë një vendim përfundimtar në gjykata.


