Kongresi Botëror i Ligjit në Tiranë/ Rama: Besnik ndaj vendimit historik për të ndarë politikën nga drejtësia

Kryeministri Edi Rama ka komentuar në podcastin “Flasim” zhvillimin e Kongresit Botëror të Ligjit i cili u mbajt këtë javë në Tiranë.
Rama e cilësoi organizimin e këtij eventi në Shqipëri si një moment historik dhe një dëshmi të transformimit të vendit në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës.
Sipas kreut të qeverisë, disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme që Shqipëria të priste një aktivitet të tillë ndërkombëtar, pasi vendi nuk do të konsiderohej një referencë për çështjet që lidhen me sundimin e ligjit.
“Javën që lamë pas, Tirana mirëpriti sesionin hapës, preludin e Kongresit Botëror të Ligjit, një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e shtetit të së drejtës që vjen në Shqipëri dhe për të cilën Shqipëria bëhet mikpritëse”, tha Rama.
Ai theksoi se kjo nuk është thjesht një ngjarje me ndikim ekonomik apo turistik, por një zhvillim që sipas tij konfirmon progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi dhe respektin që vendi ka fituar në arenën ndërkombëtare.
Rama shtoi se fakti që Tirana u zgjodh për të mbledhur figura të rëndësishme të fushës së drejtësisë, juristë dhe ekspertë ndërkombëtarë, lidhet drejtpërdrejt me transformimet e ndërmarra në sistemin e drejtësisë.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të reformës në drejtësi dhe ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të drejtësisë nga politika.
"Kështu që është edhe një herë tjetër një arsye për të qenë jo thjesht krenarë për reformën në drejtësi, por të vendosur për ta çuar atë përpara duke i qëndruar besnik atij hapi dhe atij vendimi historik që kemi marrë për të ndarë politikën nga drejtësia, për të ndarë pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ nga pushteti i drejtësisë dhe për t’ia dorëzuar shpatën e drejtësisë zonjës së drejtësisë, e cila ka nevojë në Shqipëri të mbështetet, të ndihmohet, të mirëkuptohet në një proces ku, jo vetëm shpata, por edhe sytë e mbyllur dhe peshorja për të qenë e barabartë dhe e drejtë me të gjithë janë pjesë e kësaj përpjekje të madhe dhe të përbashkët”, tha Rama.


