Hapet Tiranë-Durrës! Çlirohet trafiku drejt kryeqytetit, pritet loti i dytë nga ARRSH

Aktualitet

Hapet Tiranë-Durrës! Çlirohet trafiku drejt kryeqytetit, pritet

Segmenti i parë i autostradës Tiranë-Durrës është hapur, duke sjellë një lehtësim të ndjeshëm të trafikut, sidomos në zonën e hyrje-daljes së Tiranës për qytetarët që udhëtojnë drejt Durrësit dhe jugut të vendit.

Siç vërehet edhe nga pamjet në terren, hyrja për në kryeqytet paraqitet dukshëm më e lirë dhe me kushte më të mira qarkullimi. Ky përmirësim lidhet me hapjen e 6 kilometrave të parë të autostradës së zgjeruar.

Ky është një investim i nisur kohë më parë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe përfshin segmentin nga sheshi “Shqiponja” deri te mbikalimi i Kasharit, duke shërbyer si faza pilot e zgjerimit të kësaj infrastrukture të rëndësishme.

Megjithatë, ndonëse afati i përfundimit ishte premtuar për 31 dhjetor të vitit të kaluar, punimet kanë pësuar vonesa prej të paktën katër muajsh.

Edhe pse segmenti i parë është tashmë funksional, problematika vijojnë të shfaqen, veçanërisht në kilometrin e gjashtë, pranë mbikalimit të Kasharit (Qafë-Kashar), aty ku autostrada e re bashkohet me segmentin ekzistues. Ky bashkim krijon një efekt “hinkë”, duke sjellë ngarkesë dhe trafik të rënduar.

ARRSH pritet të vijojë me fazat e tjera të projektit, i cili do të realizohet me lote të ndara deri në përfundimin e plotë në zonën e Plepave.

Në të ardhmen është hedhur edhe ideja që autostrada Tiranë-Durrës të bëhet me pagesë, por ky mbetet një projekt afatgjatë që kërkon ende disa vite për t’u finalizuar.

Ndërkohë, sipas sinjalistikës së re rrugore, shpejtësia e lejuar në këtë segment është rritur në 100 km/h, nga 90 km/h që ishte më parë.

ME TE LEXUARAT