Hita mesazh të fortë Policisë: Goditni grupet kriminale dhe kapni personat në kërkim

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka kërkuar nga strukturat e Policisë në Tiranë, Korçë dhe Dibër që të intensifikojnë punën kundër krimit dhe të rrisin kontrollet për kapjen e personave në kërkim.
Gjatë takimeve me drejtuesit vendorë dhe kufitarë, Hita kërkoi fokus të veçantë te goditja e grupeve kriminale, armëmbajtja pa leje dhe trafiku i drogës. Ai kërkoi gjithashtu forcimin e luftës kundër krimeve kufitare dhe trafikut përmes hetimeve më të thelluara.
Një tjetër prioritet i vendosur në fokus ishte siguria e nxënësve në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
Hita kërkoi monitorim të vazhdueshëm të zonave pranë shkollave dhe kontrolle për identifikimin e personave që mund të përfshijnë të rinjtë në veprimtari kriminale.
“Intensifikoni punën për goditjen e grupeve kriminale, për kapjen e shtetasve që lëvizin me armë dhe drogë; kapni shtetasit në kërkim dhe luftoni krimet kufitare!”, ishte mesazhi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.


