I arrestuari dëmtoi kamerën, tavanin dhe orenditë në komisariatin e Sarandës, pezullohen 3 efektivë

Aktualitet

I arrestuari dëmtoi kamerën, tavanin dhe orenditë në

Policia e Vlorës ka pezulluar nga detyra 3 punonjës policie që nuk kanë reaguar gjatë episodit të dhunës nga një i arrestuar në komisariatin e Sarandës.

Gjatë kohës që qëndronte aty, ai ka dëmtuar një kamerë sigurie, tavanin e dhomës, si dhe një karrige dhe një tavolinë. Ai ishte në gjendje të rënduar emocionale, sqaron policia dhe është njoftuar menjëherë urgjenca.

Njoftimi i plotë:

Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale për një ngjarje të ndodhur në ambientet e dhomave të ndalimit, në Komisariatin e Policisë Sarandë, ku ndodhej shtetasi D. S., i arrestuar në zbatim të një vendimi gjykate, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë sqaron se:

Gjatë qëndrimit në ambientet e dhomave të ndalimit, ky shtetas ka shfaqur shenja të një gjendjeje të rënduar emocionale dhe sjellje agresive, duke dëmtuar një kamerë sigurie, tavanin e dhomës, si dhe një karrige dhe një tavolinë.

Për rastin është njoftuar menjëherë urgjenca e spitalit dhe shtetasi D. S, ka marrë ndihmën mjekësore.

Gjithashtu, paralelisht është njoftuar Prokuroria dhe janë kryer të gjitha veprimet procedurale përkatëse.

Njëkohësisht, në kuadër të verifikimit të plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të përgjegjësive eventuale, janë pezulluar nga detyra 3 punonjës policie, të cilët nuk kanë reaguar kur shtetasi D. S. ka dëmtuar kamerën dhe orenditë në dhomën e ndalimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vijon verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe marrjen e masave përkatëse, në përputhje me ligjin, në bashkëpunim me Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka nisur menjëherë ecurinë disiplinore për tre punonjësit e policisë tashmë të pezulluar.

ME TE LEXUARAT