KLGj pa zgjidhje përfundimtare! 160 mijë dosje në pritje të radhës

Grupi i punës pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor vijon diskutimet pa një zgjidhje përfundimtare për reduktimin e backlogut të dosjeve gjyqësore, i cili po i afrohet shifrës prej 160 mijë çështjesh të pazgjidhura.
Në takimet e fundit është dëgjuar edhe eksperti serb Dimitrije Sujeranoviç, i angazhuar më herët në trajtimin e ngarkesës gjyqësore në Greqi, ndërsa janë shqyrtuar disa propozime për ndërhyrje ligjore me qëllim uljen e stokut të çështjeve.
Sipas burimeve, në mbledhjen e 21 majit është diskutuar edhe mundësia e rritjes së numrit të gjyqtarëve, duke shtuar rreth 80 magjistratë mbi numrin aktual prej 417 gjyqtarësh në sistem.
Një tjetër opsion i hedhur në tryezë është edhe rritja e tarifave gjyqësore, me synimin për të ulur numrin e padive dhe për të lehtësuar ngarkesën në gjykata.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se pret propozimet përfundimtare nga KLGJ për zgjidhjen e situatës, pa dhënë ende një afat konkret për normalizimin e procesit të dhënies së drejtësisë.
Ekspertët pranë KLGJ-së kanë sugjeruar gjithashtu ndërhyrje të tjera ligjore, përfshirë shmangien e disa proceseve gjyqësore përmes zgjidhjeve alternative, aplikimin e proceseve online dhe lehtësimin e procedurave për uljen e dënimeve direkt nga sistemi i burgjeve.
Nga ana tjetër, Ministri i Drejtësisë ka paralajmëruar kontrolle nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë për të analizuar shkaqet e krijimit të stokut, përfshirë efektet e procesit të vettingut dhe mungesën e magjistratëve në sistem.


