"Pistoleta nuk ka fishek"/ Plagosi shokun me armë, arrestohet 19-vjeçari në Tiranë. Pas hekurave dhe dy të rinj …

Pas ngjarjes së rëndë që është regjistruar në Tiranë, ku një 17-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në mënyrë aksidentale shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të sqaruar rrethanat.
Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur në banesën e shtetasit R. S., 19 vjeç, i cili duke i treguar një pistoletë shokut të tij dhe duke menduar se arma nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht, duke plagosur 17-vjeçarin.
Pas veprimeve hetimore, policia ka arrestuar në flagrancë 19-vjeçarin për disa vepra penale, përfshirë “plagosje e rëndë nga pakujdesia”, “mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Gjithashtu janë arrestuar edhe dy shokë të tjerë të tyre, të moshës 20 dhe 22 vjeç, të dyshuar për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
I plagosuri ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë
Plagosi aksidentalisht me armë zjarri shokun e tij, vihet në pranga 19-vjeçari.
Vihen në pranga edhe 2 shtetas të tjerë, shokë të tyre.
Sekuestrohet arma e zjarrit që 19-vjeçari e posedonte pa leje.
Rreth orës 01:40, pas njoftimit se në rrugën “Berit Beker” ishte plagosur me armë zjarri një 17-vjeçar, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se në banesën e shtetasit R. S., 19 vjeç, ky i fundit, duke i treguar armën e zjarrit pistoletë shokut të tij dhe duke menduar se nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht dhe për pasojë është plagosur 17-vjeçari.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore:
-u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., 19 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;
-u arrestuan shtetasit A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
17-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


