E rëndë në Durrës/ Magazina përfshihet nga zjarri, humb jetën 25-vjeçari, lëndohet një tjetër

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Durrës, ku si pasojë e një zjarri në një magazinë ka humbur jetën një person, ndërsa një shtetas i huaj është dërguar në spital me djegie. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, në një ambient magazinash në zonën e Fllakës, Sektor Rinia në Durrës, në subjektin me administrator shtetasin S. M.
Sipas informacioneve paraprake, flakët dyshohet se janë shkaktuar nga një bombul gazi në ambientin ku përgatitej ushqimi për punonjësit. Si pasojë e ngjarjes, ka humbur jetën nga asfiksia shtetasi O. M., rreth 25 vjeç, me origjinë nga Bangladeshi, ndërsa një tjetër punonjës, shtetasi Ch. Ch., rreth 30 vjeç nga Kenia, është transportuar në spital dhe po merr ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 08:00, në një nga ambientet e magazinave të subjektit me administrator shtetasin S. M., në zonën e Fllakës, Sektor Rinia, ka rënë zjarr.
Si pasojë e zjarrit të rënë në ambientin ku gatuhej për punonjësit, (dyshohet nga bombula e gazit) ka ndërruar jetë, dyshohet nga asfiksia, shtetasi O. M., rreth 25 vjeç, nga Bangladeshi, ndërsa shtetasi tjetër, Ch. Ch., rreth 30 vjeç, nga Kenia, po merr ndihmë mjekësore në spital.
Shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses shkuan menjëherë në vendngjarje dhe bënë të mundur fikjen e zjarrit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, shkakun e rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.


