FOTO/ Incidente të dhunshme në Beograd! Përplasje mes protestuesve dhe policisë pranë pallatit presidencial

Disa incidente janë regjistruar pranë pallatit presidencial në Beograd pas përfundimit të një tubimi të organizuar nga studentët të shtunën.
Sipas raportimeve, një grup të rinjsh u përpoq të afrohej drejt parkut ku mbështetës të presidentit serb Aleksandar Vučić kishin ngritur kampe që prej mëngjesit. Policia ndërhyri për të ndaluar përplasjen, duke shtyrë protestuesit prapa dhe duke përdorur granata tymuese, pasi disa prej tyre hodhën objekte në drejtim të forcave të rendit.

Para mesnatës, situata u qetësua dhe pjesa më e madhe e protestuesve u shpërnda, ndërsa forca të shumta policore mbetën të pranishme në zonat përreth pallatit presidencial për të garantuar rendin dhe sigurinë.
Më herët gjatë ditës, në Beograd ishte zhvilluar një nga tubimet më të mëdha antiqeveritare të organizuara nga studentët, të cilët kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Protesta, e mbajtur nën sloganin “Studentët do të fitojnë”, synonte të tregonte mbështetjen e vazhdueshme për lëvizjen studentore.

Në tubim folën profesorë universiteti, gjyqtarë të shkarkuar dhe artistë, të cilët kërkuan që Serbia të shndërrohet në një shtet ligjor dhe transparent.
Protestat studentore në Serbi kanë nisur që në dhjetor 2024, pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Në muajt në vijim, lëvizja ka vazhduar me kërkesa për zgjedhje të parakohshme dhe reforma institucionale, ndërsa tubimi i fundit në Beograd ishte një nga më të mëdhenjtë e organizuar deri më tani.
