KLSH jep alarmin për sigurinë e digave

Shqipëria renditet e 6-ta në Europë dhe e 20-ta në botë për numrin e madh të digave në vend, por sipas KLSH problem mbetet mirëmbajtja e tyre. Në auditin e saj, KLSH thotë se digat në Shqipëri nuk mirëmbahen, duke sjellë amortizimin e tyre dhe probleme për zonat urbane poshtë tyre.
“Me përjashtim të digave për prodhim hidroenergji të ndërtuara në lumenjtë Drin, Devoll dhe Mat, digat e tjera në përgjithësi nuk monitorohen dhe nuk mirëmbahen nga shfrytëzuesit e digave sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, duke sjellë jo vetëm përkeqësim të gjendjes së tyre, por edhe mungesë të njohjes reale të situatave aktuale si dhe krijimin e problemeve të panjohura për zonat urbane poshtë tyre. Kjo situatë është më problematike në digat që përdoren dhe janë në pronësi të bashkive të vendit, të cilat kanë treguar një neglizhencë në mirëmbajtjen dhe monitorimin e tyre”.
Një tjetër problem sipas KLSH është mungesa e inxhinierëve për kontrollin e digave. Një pjesë e tyre janë jashtë funksionit.
“Në këto bashki vërehen edhe probleme të mëdha që lidhen me mungesën e inxhinierëve dhe njësive të kontrollit teknik të digave. Nga kontrolli dhe inspektimi i digave të mëdha gjatë vitit 2023 rezulton se rreth 30 diga të mëdha dhe rreth 90 diga të vogla janë jashtë funksionit”.
350 diga të mëdha janë ndërtuar në vitet 1960–1990, të cilat përdoren për prodhimin e energjisë ujore, furnizimin me ujë të pijshëm, ujitjen e tokave bujqësore, mbrojtjen nga përmbytjet, rritjen e peshkut, transportin ujor, turizmin dhe zhvillimin urban.
Sipas KLSH, rritja e përmbytjeve për shkak të ndryshimeve klimatike, mungesa e investimeve të qëndrueshme për rehabilitimin e digave, mungesa e një sistemi të klasifikimit sipas riskut dhe rreziku i moszbatimit të reformave apo rekomandimeve audituese përbëjnë një kërcënim të madh në Shqipëri./Tv Klan


