Kujtim Cakrani tërhiqet nga mbrojtja e Ilir Metës, studio ligjore flet për mungesë mirëbesimi

Avokati Kujtim Cakrani ka bërë të ditur se nuk do të vijojë më përfaqësimin ligjor të ish-presidentit Ilir Meta në procesin penal që po shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Në një deklaratë publike, Studio Ligjore “Cakrani” sqaroi se kishte marrë në mbrojtje Metën më 24 maj 2025 dhe se gjatë kësaj periudhe angazhimi kishte qenë i plotë, me profesionalizëm në mbrojtje të të drejtave të klientit.
Sipas të njëjtit njoftim, më 29 qershor 2026 ka përfunduar marrëdhënia mes avokatit dhe klientit.
Studio thekson se ndërprerja e bashkëpunimit erdhi për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok, si edhe mungesës së bashkëpunimit të domosdoshëm mes klientit dhe mbrojtësit ligjor. Në deklaratë thuhet se kjo situatë u bë veçanërisht e dukshme pas seancës së fundit gjyqësore për çështjen në themel.
Cakrani nënvizon se ky vendim është marrë në përputhje me Kodin e Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, sqarohet se mes palëve nuk ka as konflikt interesi, as akuza dhe as përplasje.
“Vendimi pasqyron thjesht mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive”, thuhet në deklaratë.
Në fund, Studio Ligjore “Cakrani” i uron Ilir Metës të gjejë përfaqësimin e duhur ligjor dhe garanton se do të ruajë konfidencialitetin e plotë për të gjitha informacionet e marra gjatë ushtrimit të mandatit si avokat mbrojtës.


