“Kush ndot, paguan”/ Bizneset me rrezik për mjedisin do të detyrohen të krijojnë garanci financiare

Aktualitet

“Kush ndot, paguan”/ Bizneset me rrezik për mjedisin do të

Subjektet që ushtrojnë veprimtari me rrezik për mjedisin do të detyrohen të sigurojnë paraprakisht fondet për mbulimin e dëmeve që mund të shkaktojnë, sipas një projektligji të hartuar nga Ministria e Mjedisit.

Projektligji parashikon që përgjegjësia financiare për pastrimin, rehabilitimin ose kompensimin e dëmit mjedisor të bjerë mbi operatorin privat dhe jo mbi buxhetin e shtetit, duke zbatuar parimin “Kush ndot, paguan”.

Bizneset do të duhet të krijojnë një garanci të posaçme financiare për përballimin e dëmeve të mundshme ose për ndërhyrjen në rast të një kërcënimi të pashmangshëm ndaj mjedisit. Kjo garanci do të ofrohet në formën e një garancie bankare ose të një kontrate sigurimi dhe do të jetë e detyrueshme për operatorët që zhvillojnë aktivitete të përcaktuara nga legjislacioni për mbrojtjen e mjedisit.

Pa këtë garanci financiare, subjektet nuk do të mund të vijojnë aktivitetin sipas kushteve të përcaktuara në vendim.

Shuma e garancisë nuk do të jetë e njëjtë për të gjitha bizneset, por do të llogaritet individualisht në bazë të nivelit të rrezikut, llojit të aktivitetit dhe kostos së mundshme për pastrimin, rehabilitimin ose kompensimin e dëmit.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, ky mekanizëm synon të ulë barrën mbi fondet publike dhe të garantojë që kostot e dëmeve mjedisore të përballohen nga vetë ndotësit, pa krijuar shpenzime shtesë për buxhetin e shtetit.

ME TE LEXUARAT