Mbi 100 institucione në alarm për bo'mbë/ Reagon Antiterrori, kërkohet ndihma e Europol-it

Aktualitet

Mbi 100 institucione në alarm për bo'mbë/ Reagon
Mbas dy e-maileve të dërguara mbi 100 institucioneve, ku kërcënohej me vendosjen e një bombe, Antiterrori ka vënë në dijeni dhe ka kërkuar ndihmë për hetime të specializuara në këtë fushë nga Europol.

Sipas burimeve shumë të sigurta të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, hetimet janë fokusuar në fushën kibernetike dhe çështja do t’i përcillet ditën e sotme Prokurorisë për veprën “përhapje e informatave të rreme që nxisin panik”, neni 267 i Kodit Penal.

Grupi i hetimit beson, duke u bazuar në të dyja tekstet që janë shpërndarë ditën e kaluar, në orën tetë, në dhjetëra institucione duke paralajmëruar bombë, se teksti është i përkthyer në shqip me Google Translate dhe, si shembull, sollën për gazetaren Anila Hoxha fjalinë “Ky është Shteti Islamik”, të shkruar në emailin kërcënues “Kjo është Shteti Islamik”.



Lista e institucioneve është e gjatë, tek të cilat ditën e djeshme, pas evakuimit dhe kontrolleve me qen antieksplozivë, oficerë të policisë gjyqësore kryen veprime në këqyrjen e emaileve, duke i administruar si prova.

Mes tyre gjykatat, përjashto Kushtetuesen dhe Gjykatën e Lartë, Ministria e Brendshme, Ministria e Mjedisit, Meteorologjia, QKB, Sigurimet Shoqërore, Inspektorati Shëndetësor, Agjencia e Pyjeve, disa bashki.

Në email paralajmërohej se ishte vendosur bombë dhe se do të shpërthente për dy orë. Gazetarja Anila Hoxha shpjegon se ky është rasti i dytë brenda vitit, pas një alarmi të ngjashëm pak muaj më parë në një qendër tregtare.

Më herët, në një nga çështjet e raportuara nga Anila Hoxha, SPAK ngriti akuza në mungesë ndaj një shtetasi rus të identifikuar si Vladislav Urban, për shkak se në 2023 dërgoi një email kërcënues me bombë, që e kishte vendosur, sipas tij, në aeroportin e Rinasit dhe do ta shpërthente nëse Shqipëria nuk e njihte Kosovën si Serbi.

 

ME TE LEXUARAT