Ndahet nga jeta në moshën 35-vjeçare sipërmarrësi shqiptar

Nga një prej sipërmarrësve shqiptarë të vlerësuar për projektet e tij në teknologji dhe inteligjencë artificiale, te një ndarje e papritur nga jeta në moshën vetëm 35-vjeçare. Arlend Prend Gjoni, i njohur si “Ledi”, ndërroi jetë pas një ataku kardiak.
Një lajm i trishtë ka tronditur familjarët, miqtë dhe të afërmit e Arlend Prend Gjonit, i njohur si “Ledi”, i cili është ndarë nga jeta në moshën vetëm 35-vjeçare.
Sipas njoftimit të familjes, Gjoni ka ndërruar jetë pas një ataku kardiak, duke lënë pas një dhimbje të madhe te njerëzit e tij të afërt.
Por vetëm pak muaj më parë, emri i tij ishte bërë pjesë e një historie suksesi shqiptar në teknologji. Në maj të këtij viti, Forbes Middle East e prezantoi Arlend Gjonin si bashkëthemelues të “Prepaire Labs”, një prej iniciativave që po punon në përdorimin e inteligjencës artificiale dhe analizave gjenetike në shëndetësi.
Gjoni kishte zgjedhur Emiratet e Bashkuara Arabe për të zhvilluar aktivitetin e tij profesional, duke u bërë pjesë e një prej projekteve që synojnë të ndryshojnë mënyrën se si diagnostikohen dhe parandalohen sëmundjet.

Në një intervistë për Forbes Middle East, gjatë samitit “Make it in UAE” në Abu Dhabi, ai foli për të ardhmen e “inteligjencës biologjike” dhe kalimin nga trajtimi i sëmundjeve pasi shfaqen simptomat, drejt parashikimit dhe identifikimit të hershëm të rreziqeve shëndetësore.
Teknologjia ku po punonte kompania synonte përdorimin e inteligjencës artificiale dhe analizave gjenetike për të identifikuar rreziqe shëndetësore përpara shfaqjes së simptomave. Sipas Gjonit, një qasje e tillë mund të ndihmonte në zbulimin e hershëm të sëmundjeve kronike, përfshirë diabetin, problemet kardiovaskulare dhe disa forma të kancerit.
Me origjinë nga Berisha e Pukës, Arlend Gjoni kishte ndërtuar një karrierë të suksesshme në biznes dhe sipërmarrje. Ai e kishte nisur rrugëtimin si emigrant dhe më pas ishte orientuar drejt investimeve në teknologji, inovacion dhe projekte me potencial ndërkombëtar.
Vitet e fundit ishte bashkëthemelues i “Prepaire Labs”, kompani e fokusuar në teknologjinë shëndetësore, inteligjencën artificiale dhe zhvillimin e sistemeve të avancuara të analizës së të dhënave.
Ndër projektet e lidhura me këtë fushë është edhe GenetiQ Digital Twin, një teknologji që synon të ndërthurë të dhëna gjenetike, metabolike, klinike, imazherike dhe biometrike për të ndihmuar në identifikimin e hershëm të rreziqeve shëndetësore dhe personalizimin e trajtimeve.
Të afërmit e përshkruajnë Arlendin si një njeri me vizion dhe ambicie të mëdha, i cili pavarësisht moshës së re kishte arritur të ndërtonte një profil ndërkombëtar dhe të investonte në projekte të teknologjisë së së ardhmes.
Ndarja e tij nga jeta vjen në një moment kur ai ishte ende në kulmin e një karriere të orientuar drejt inovacionit dhe teknologjisë, duke e bërë humbjen edhe më të dhimbshme për familjen dhe njerëzit që e njihnin.
Pritja e të ndjerit do të bëhet pranë shtëpisë funerale “Alba 2000”, në rrugën e Durrësit.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet të dielën, më 16 gusht, në orën 13:00, pranë varrezave të Prushit, Kombinat, Tiranë.


