Ndodhej në të njëjtën qeli me të birin, ndërron jetë i paraburgosuri në Shkodër

Mëngjesin e kësaj të diele, një i paraburgosur në burgun e Shkodrës ka ndërruar jetë.
Drejtoria e Burgjeve, në një njoftim bën me dije 62 vjeçari, i cili ndodhej në të njëjtën qeli me të birin, ka pësuar komplikacione.
Pas ndihmës mjekësore në ambientet e paraburgimit, i dënuari u transportua për në spital, ku pavarësisht ndihmës mjekësore, nuk arriti të mbijetonte.
Njoftimi:
Në orët e para të mëngjesit të datës 28.06.2026, në IEVP Shkodër u regjistrua një emergjencë shëndetësore. I paraburgosuri me inicialet Ç. J., i datëlindjes 10.11.1964, i cili ishte i akomoduar në të njëjtën dhomë me të birin, të burgosurin me inicialet D. J., pësoi një përkeqësim të papritur të gjendjes shëndetësore, çfarë bëri të nevojshme ndërhyrjen e menjëhershme të personelit mjekësor.
Personeli shëndetësor i institucionit i ofroi menjëherë ndihmën e parë dhe, për shkak të rëndimit të gjendjes, u vendos transportimi i tij me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut.
Gjatë transportit, si dhe pas mbërritjes në urgjencën spitalore, stafi mjekësor kreu të gjitha procedurat e reanimimit kardiorespirator, por, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, mjekët konstatuan ndarjen e tij nga jeta.
Në përputhje me procedurat ligjore, organet kompetente janë njoftuar menjëherë dhe kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së të ndjerit dhe garanton bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të këtij rasti.


