Nis aplikimi për Universitetet/ Ja hapat e njëpasnjëshëm që duhet të ndjekin maturantët

Për maturantët, hapi i parë i regjistrimit në Universitete nis këtë të premte me pagesën e tarifës së aplikimit. Ajo ështe e detyrueshme, pavarësisht nëse të rinjtë zgjedhin universitet publik apo privat.
Kjo faturë përmban kodin unik që do t’u nevojitet maturantëve për të konfirmuar preferencat e tyre në portalin “U-albania”. Tarifa është 2 mijë lekë dhe e vlefshme për të dy raundet e aplikimit.
Dokumenti shkarkohet në “U-albania”, ndërsa pas pagesës, fatura duhet të ngarkohet sërish në portal. Një kopje duhet të dorëzohet edhe në sekretarinë e gjimnazit.
Fatura paguhet deri më 24 korrik, në çdo zyrë të Postës Shqiptare ose bankë të nivelit të dytë.
Hapi i radhës është nga 27 korriku deri më 1 gusht, kur maturantët do të kenë mundësi të aplikojnë duke renditur deri në 10 programe studimi sipas preferencës.


